Kryetari i Këshillit Kombëtar të NISMA Socidaldemokrate Jakup Krasniqi, ka reaguar ndaj deklaratave të pamatura të ish-kandidatit për deputet nga radhët e këtij subjekti politik, Haxhi Hoti, të bëra në rrjetin social, ndaj liderit të LVV-së, Albin Kurti.
Hoti kishte thënë se kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, i mbeten dy opsione: “Ose ta lëshojë Kosovën, ose të vritet”.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se Nisma që nga fillimi ka qenë dhe është kundër çdo dhune a kërcënimi.
Postimi i plotë i Krasniqit:
“NISMA QË NGA FILlIMI KA QENË DHE ËSHTË KUNDER ÇDO DHUNE A KËRCËNIMI
ISHIM DHE JEMI PËR DREJTËSI E SHTET LIGJOR – kushdo që është jashtë kësaj fryme , nuk është NISMË!
Bashkë për shtetin, armiqt I mbajmë jashtë kufirit!
Bashkë për çdo gjë që është në interes të kombit e shtetit!
Jo bashkë në armiqësi!
Jo bashkë në sharje e kacafytje!
Jo bashkë për krim e korupsion!
Jo bashkë për të kapur shtetin dhe asnjë segment të tij!
Jo bashkë në kusari, padije e hajni!
NISMA Socialdemokrate në të gjitha interesat që kërkojnë bashkimin për kombin e shtetin në çdo kohë ka qenë e do të jetë bashkë!
Të gjitha të tjerave që demtojnë kombin e shtetin, dinjitetin e integritetin e çdo njeriu, ju thotë Jonë e madhe!
P. S
Na vije keq që në shoqërinë tonë vetëm lajmi i keq bëhet lajm!”, ka shkruar Krasniqi.
Ndryshe, anëtari i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Hoti, është arrestuar sot, pas kërcënimit që i ka bërë liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes një postimi në rrjetin social.
Përmes një shkrimi në Facebook, Hoti ka thënë se Kurti ose duhet ta lëshojë Kosovën, ose të vritet, pasi sipas tij, nuk është interes i Kosovës që të jetë kryeministër.