Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi pas takimit me kryeministrin në detyrë Albin Kurti lidhur me pandeminë e COVID-19, ka thënë se kjo Qeveri ka pasur sjellje arrogante dhe injoruese.
“Kemi ardhur që si PDK ti shprehim drejtpërdrejtë qëndrimet tona. Deri sot kemi pasur sjelle arrogante dhe injoruese nga kryeministri në detyrë dhe qeveria. Isha për t’iu thënë se kanë bërë gabime të jashtëzakonshme, dhe tash në këtë moment kur situata ka filluar të dalë nga kontrolli një ftesë që duhet të vinte para gjashtë jave ata e kanë bërë sot”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ka shtuar se kjo Qeveri ka marrë vendime të paligjshme dhe se kryeministri në detyrë kanë shkelur Kushtetutën.
Ai shtoi se kjo Qeveri është dorëzuar para Serbisë.
“Janë dorëzuar nga Serbia duke ia mundësuar menaxhimin efektiv të pandemisë në komunat e veriut të vendit. E kanë pranuar mënyrën më të gabueshme, i kanë pranu 1000 testime nga Vuçiqi duke iu mundësuar që ndoshta për 30 mijë euro që të shpërlahet ose të tentoi të shpërlahet për krimet gjenocidale që ka bërë Serbia”, u shpreh Krasniqi.
Krasniqi tha se ia ka përmendur kryeministrit në detyrë edhe numrin e vogël të testimeve për coronavirus, duke thënë se nuk jemi as afërsisht më të mirët në rajon dhe se përgjegjësia është e kësaj Qeverie. /Telegrafi/