Site icon Telegrafi

Krasniqi: Për 10 vite presidentët e Kosovës falën rreth 300 të burgosur, kur falin duhet të mendojnë edhe për viktimat

Njohësi i rrethanave politike në vend, Albert Krasniqi ka thënë sot se kur presidentët vendosin të falin duhet të mendojnë edhe për viktimat.

Krasniqi në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se falja e personave që kanë kryer vrasje do të duhej të bëhej vetëm në rrethana të jashtëzakonshme dhe për arsye humane, nëse të njëjtit janë duke vuajtur nga sëmundje të pashërueshme apo janë në moshë të shtyrë

Lexoni të plotë postimin e Krasniqit:

Për 10 vite presidentët e Kosovës falën rreth 300 të burgosur

Kur presidentët vendosin për falje duhet të mendojnë për viktimat. Falja e personave që kanë kryer vrasje do të duhej të bëhej vetëm në rrethana të jashtëzakonshme dhe për arsye humane, nëse të njëjtit janë duke vuajtur nga sëmundje të pashërueshme apo janë në moshë të shtyrë. Në të kundërtën nuk mund të arsyetohet falja e askujt që ka privuar nga jeta të tjerët”.

Ndryshe, pas faljes që presidenti i vendit, Hashim Thaçi ua bëri disa personave me rastin e Vitit të Ri, ka reaguar njëra nga familjet e viktimave.

Lexo po ashtu Thaçi ia fali dy vjet të dënuarit me 18 vite burg për "vrasje të rëndë"

Arlind Latifi, është njëri nga të falurit e Thaçit, i cili kishte aksidentuar për vdekje 20 vjeçarin Butrint Bajrami. E për këtë ka reaguar familja e të ndjerit, Butrit Bajrami.

Përmes një shkrimi në Facebook, njëri nga familjarët, Valon Bajrami, ka hedhur akuza ndaj presidentit Thaçi.

Lexo po ashtu Thaçi fali personin që shkaktoi aksident me fatalitet, reagon familja Bajrami

Ai e ka quajtur jashtë normales, faljen e Arlind Latifit nga Thaçi, pasi ka thënë se ende familja nuk ia ka falë për aksidentin që shkaktoi fatalitet.

Kujtojmë se gjatë këtij viti, Thaçi ka bërë falje të personave së paku tri herë. Disa persona që ishin në vuajtje të dënimit i ka falur në muajin shkurt, disa në qershor dhe kjo e fundit pak ditë para Vitit të Ri. /Telegrafi/

Exit mobile version