Site icon Telegrafi

Krasniqi në Tiranë: Vendet e Ballkanit duhet të jenë një treg i hapur

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ka marrë sot pjesë në takimin e nëntë të ministrave të bujqësisë të vendeve të Evropës Juglindore, në kuadër të Grupit Punues Drejtues për Zhvillim Rural Rajonal (SWG).

 

Ky takim sivjet është mbajtur në Tiranë nën patronatin e Ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave të Republikës së Shqipërisë, Edmond Panariti.

 

Në fjalën e tij, ministri Krasniqi ka prezantuar zhvillimin dhe sfidat e bujqësisë në vend.

 

Ai tha se në Kosovë ka rritje të sipërfaqes së tokës së kultivuar me prodhime të ndryshme bujqësore dhe avancim të sektorit të blegtorisë. Ministri theksoi se Qeveria e Kosovës e ka në prioritet bujqësinë dhe këtë vit ka ndarë 43 milionë euro për grante të cilat kanë ndikuar në rritjen e punësimit dhe zhvillimin ekonomik.

 

Ministri Krasniqi deklaroi ndërkaq se përkundër rritjes së eksportit ende bilanci tregtar i Kosovës mbetet negativ dhe po punohet që të ketë një barazi dhe konkurrencë më të drejtë në tregun vendor.

 

Në këtë kuptim, ai tha se vendet e rajonit mund të punojnë më shumë që të hapin tregun mes vete në mënyrë që prodhuesit dhe përpunuesit nga të gjitha vendet të përfitojnë më shumë, dhe që konsumatori të ketë më shumë prodhime.

 

Ai po ashtu theksoi se vendet e Ballkanit mund të mësojnë shumë nga njëra-tjetra dhe të bashkëpunojnë në zgjidhjen e problemeve që kanë në këtë sektor, duke shkëmbyer përvojat dhe ekspertizën.

Exit mobile version