Site icon Telegrafi

Krasniqi në Hagë: Na quajtët ndërmarrje kriminale, por unë asnjëherë s’i kam trajtuar njerëzit ashtu siç më trajtuat mua

Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi në seancën e parë gjyqësore në Hagë ka thënë se asnjëherë në jetën e tij nuk ka trajtuar njerëz siç u trajtua ai.

“Së pari, dua të them këtu se unë jam arrestuar më 4 nëntor 2020 në aktakuzë po na quani ndërmarrje e përbashkët kriminale, por dua të deklaroj sot se kurrë në jetën time në asnjë rast të vetëm nuk i kam trajtuar njerëzit as kaq sa e si më trajtuat mua nga ndërtesa e burgut deri në këtë ndërtesë”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se nuk ka qenë qëllimi i tij trajtimi i njerëzve, por lufta kundër okupatorit që kaq bërë krime në Kosovë.

Lexo po ashtu Specialja, Krasniqi akuzohet për vrasjen e atyre që nuk kishin përkrahur UÇK-në dhe personave që kishin lidhje me LDK-në

“E ndjej vetën më shumë se mirë dhe nuk do të dëshiroja të jem në petkun e njerëzve që kanë shpirt krimineli. Jam intelektual jam njeri që politikisht e kam luftuar Serbinë dhe në asnjë deklaratë timen nuk e kam drejtuar gishtin nga popullsia civile as serbe, as ndonjë tjetër. Në aktakuzë përpiqeni të ndani shqiptarët në katolik dhe mysliman, unë jam shqiptar s’jam as katolik as mysliman dhe kjo për mua është fyese, e po ashtu edhe për vendin tim”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se “cilësimi i prokurorit që ne qenkemi ndërmarrje e përbashkët kriminale, për mua dhe shokët e mi që luftuam për çlirimin e vendit tonë nuk ka diçka më fyese”.

“Ishim dhe jemi ndërmarrje e përbashkët çlirimtare dhe shtet formuese. Ndërmarrje e përbashkët kriminale janë jo vetëm serbët në Serbi, por edhe koka e saj në Beograd dhe mbështetësit e politikave të Beogradit”, u shpreh Krasniqi.

Krasniqi ka shtuar se nuk ka menduar që të marrë avokat mbrojtës, dhe se atë nuk e ka marrë me vullnetin e tij e as me bindjen që i duhet avokati.

“Ishte dëshira e familjes dhe shokëve që të pranoj avokat, dhe jam i bindur që nuk më duhet avokati. Dhe nuk mbajë asnjë përgjegjësi të vetme me këtë që akuzohem as të veprimit e as mosveprimit. Detyra ime ka qenë publike, zëdhënës i UÇK-së”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se ndaj tij është bërë pa të drejtë. “Jam këtu pa të drejtë, ndaj meje është bërë padrejtësi e madhe”, tha Krasniqi. /Telegrafi/

Exit mobile version