Në Hagë ka vazhduar konferenca e radhës për ecurinë e çështjes ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas zgjerimit të aktakuzës nga Zyra e Prokurorisë Speciale.
Lidhur me akuzat ndaj tij është deklaruar edhe Jakup Krasniqi, i cili ka thënë se ndihet krejtësisht i pafajshëm, ndërsa ka theksuar se vepra të tilla për të cilat po akuzohet “nuk kam kryer kurrë në jetën time”.
Ai ka thënë se aktakuza ndaj tij është plotësisht e mbështetur mbi bazën e gënjeshtrave të Serbisë.
“Mbase jam gabim, por kurrë nuk kisha besuar – sikur mos të ishte ky rast – që juristë të shkolluar në vendet me demokraci liberale, guxojnë të ngrisin një akuzë që mbështetet vetëm mbi bazën e gënjeshtrave të Serbisë dhe cenon rëndë jetën dhe lirinë e një individi, dhe jo vetëm. Madje, e godet në palcë të kurrizit të drejtën e një populli për liri e shtet ndërtim. Mua më vjen turp se pse po jetoj në këtë kohë”.
“Unë z.gjyqtar i kam lexuar dokumentet, aktakuzën dhe këtë shtesën e fundit dhe mund të them me bindje të plotë që e kam të vështirë ta kuptoj edhe akuzën e parë edhe vazhdimin, pasi që jam i bindur që vepra të tilla nuk kam kryer kurrë në jetën time. Prandaj, deklarohem krejtësisht i pafajshëm dhe kërkoj që gjyqi të përshpejtohet e të mos na mbajë kaq gjatë në paraburgim”, ka thënë Krasniqi./Telegrafi/