Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë sot se vendi është në prag të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të pandemisë së virusit Covid-19, ndërsa sot kur duhet më së shumti unitet e stabilitet shtetëror, kryeministri Albin Kurti gjen momentin për të qëruar hesape politike, duke shkarkuar ministrin e Punëve të Brendshme.
Krasniqi, në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se kryeministri Kurti sot vulosi mendësinë që e ka përcjellë vazhdimisht si një dezertor përballë përgjegjësisë aty ku duhet e kërkohet dhe si përfitues i paskrupullt nga rrethanat e momentit, aty ku nuk duhet dhe ku s’është e ndershme.
Lexoni të plotë postimin e Krasniqit:
“Vendi është në prag të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, për shkak të pandemisë së virusit Covid-19 që po e rrezikon jetën e qytetarëve tanë çdo ditë e më shumë. Dhe pikërisht sot, kur duhet më së shumti unitet, vëmendje e stabilitet shtetëror për menaxhimin e kësaj krize, Kryeministri gjen momentin për të qëruar hesapet politike, duke shkarkuar Ministrin e Punëve të Brendshme. Me këtë veprim të tij, që mund të shkaktojë krizë mbi krizën aktuale, vendi rrezikon të humbë fokusin për menaxhimin e situatës kritike, duke e rritur rrezikun që i kanoset shëndetit publik, rendit dhe sigurisë.
I paaftë për të marrë përgjegjësitë që i takojnë, Kryeministri sot vulosi mendësinë që e ka përcjellë vazhdimisht si një dezertor përballë përgjegjësisë aty ku duhet e kërkohet dhe si përfitues i paskrupullt nga rrethanat e momentit, aty ku nuk duhet dhe ku s’është e ndershme.
Me veprimin e sotëm, Albin Kurti vetëm sa e konfirmoi urgjencën për shpalljen formale të gjendjes së jashtëzakonshme në Republikën e Kosovës. Prandaj sot, kur jeta ka vlerë më shumë se çdo gjë dhe kur qytetarët kanë nevojë për siguri e ballafaqim fitimtar me pandeminë globale, vendi ynë edhe de jure duhet të hyjë në gjendje të jashtëzakonshme, sepse kjo situatë nuk mund të kalohet suksesshëm me njerëz të papërgjegjshëm si Albin Kurti”. /Telegrafi/