Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti, i cili në seancën e sotme të Kuvendit ritheksoi qëndrimin e Qeverisë kundër Projektligjit për Trustin.
Në replikën e tij, Krasniqi tha se arsyetimi i Kurtit se nuk mund të lejojnë tërheqjen e mjeteve nga Trusti pasi rrënohet e ardhmja e pensionistëve, nuk qëndron.
Sipas të parit të PDK-së, kreu i ekzekutivit duhet të brengoset më shumë për problemet që i kanë tani qytetarët se sa për ato që mund t’i kenë pas disa vitesh kur pensionohen.
“Kurrgjë nuk the sepse me mjeshtërinë tënde e ktheve në personale. Kjo nuk të ka hije. Ti sot po thua që po ua bartim dertin (qytetarëve) kur të dalin në pension. Ti duhet t’ua bash dertin për problemet që i kanë tani”, deklaroi Krasniqi
“96 për qind e qytetarëve kanë më pak se 20 mijë euro në Trust, po i heqim ata që kanë më shumë, pra po i largojmë pasanikët. Për çfarë rrënimi të së ardhmes po flet? Qysh rrënohet Fondi nëse i tërheqim vetëm 15 për qind të mjeteve. Mos fol në emër të qytetarëve sepse nuk i ke takuar”, shtoi ai. /Telegrafi/