Site icon Telegrafi

Krasniqi: Kurti ka qenë gjithmonë në anën e gabuar të historisë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës(PDK) Memli Krasniqi ka akuzuar LVV-në dhe Kurtin për të kaluarën e tyre historike dhe të tashmen. Ai thotë se Kurti po e përçanë shoqërinë kosovare.

“Albin Kurti dhe LVV-ja kanë qenë gjithmonë në anën e gabuar të historisë. Edhe kur e kanë pasur emrin KAN i kanë pasur dy seli; një në Beograd dhe një në Prishtinë, edhe kur janë bërë parti politike, edhe kur ka funksionuar Albin Kurti sikurse një atom i lirë”, ka thënë i pari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Më tej, ai ka thënë se Kurti kishte qenë kundër bombardimeve të NATO-s më 1999 në Kosovë.

“Kurti ka qenë kundër Rambujesë që ka sjellë bombardimet e NATO-s, kundër marrëveshjes së Ahtisarit, edhe kishte thënë se Kosova kurrë nuk do të bëhej shtet, duke nxjerrë njerëz në rrugë të cilët kanë humbur jetën në demonstrata e organizuar nga ai dhe normalisht që ka qenë e gabuar”, ka theksuar Krasniqi.

Më tej, ai ka treguar se Kurti ishte kundër çdo marrëveshje ndërkombëtare të cilat sipas tij i kanë dhënë perspektivë Kosovës.

Sipas Krasniqit, Kurti kishte qenë kundër idesë së shtetit të Kosovës.

“Kurti është i njëjti njeri që ka i thënë flamurit të Kosovës lara-lara, i njëjti që ka thënë se Kosova s’do të ketë kurrë ushtri. Ky është i njëjti njëri që i ka sulmuar në mënyrat ma brutale institucionet e Kosovës, me mollotov e gaz lotsjellës edhe vet ushtrinë dhe policinë e Kosovës”, ka thënë ai.

Krasniqi i është kundërpërgjigjur akuzave të LVV-së ku thuhet se në 20 vite ka pasur vetëm shkatërrim.

Sipas Krasniqit, ”nëse në këto 20 vjet qenka shkatërruar Kosova, atëherë paska qenë mirë në vitin 1999 kur është luftuar me Serbinë. Kjo është logjika nëse e dekonstrukton idenë e Albin Kurtit dhe LVV-së që këto 20 vite janë të këqija, po i bie që para 20 viteve ka qenë mirë”.

Ai ka përmendur edhe komunën e Shtimes që drejtohet nga LVV, kur kryetari kishte “thënë se e çliruam Komunën në vitin 2022”.

“Diskursi i tyre e ka helmuar opinionin publik. Albin Kurti e ka përçarë shoqërinë. Ky është ndër problemet më të rënda që do të përballet shoqëria”, deklaroi Krasniqi./Telegrafi/

Exit mobile version