Site icon Telegrafi

Krasniqi: Ka kaluar koha kur bandat kriminale frikësonin Republikën me sulme

Elbert Krasniqi, ministër i MAPL-së

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se ka kaluar koha kur bandat kriminale kanë frikësuar Republikën e Kosovës me sulme.

Këtë deklarim Krasniqi e ka bërë si reagim ndaj rastit të nënkryetares së Komunës së Zveçanit, Natasha Tomaniq, së cilës të premten iu dogj dyqani.

“Grupet kriminale në Zveçan vazhdojnë me sulme dhe terror, kësaj radhe cak i tyre ishte dyqani privat i nënkryetares së Komunës së Zveçanit, znj. Natasha Tomaniq”, ka shkruar ministri në Facebook.

Lexo po ashtu Iu dogj lokali, nënkryetarja e Zveçanit sfidon grupet kriminale në veri: Nuk më frikësojnë as Lista Serbe e as "Brigada e Veriut”

Ai ka shtuar se si institucione shtetërore e dënojnë këtë akt dhe “ju ofrojmë mbështetje qytetarëve nga komuniteti serb në luftën tonë të përbashkët kundër grupeve kriminale”.

“Gjithashtu, sot KQZ ka caktuar datën 21 prill për votim për largimin e kryetarëve nga funksioni në komunat Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, bazuar në afatet kohore të përcaktuara me udhëzimin administrativ”.

“Gatishmëria jonë për realizimin e vullnetit të qytetarëve do të vazhdoj në përputhje me kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, ka kaluar koha kur bandat kriminale frikësonin Republikën me sulme. Vullneti qytetar do të respektohet ndërkohë që krimi do të ndëshkohet dhe nuk do të tolerohet”, ka shkruar Krasniqi më tej. /Telegrafi/

Exit mobile version