Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka folur për punën si drejtues i Parlamentit, duke thënë se detyrën e ka kryer me përgjegjësi.
“Puna e kryetarit të parlamentit te ne është bukur e ndërlikuar sepse ke të bësh me përfaqësues të zgjedhur të qytetarëve të Kosovës dhe secili prej tyre në një formë ose një tjetër e ka vullnetin, e ka mandatin e marrë nga qytetarët”, tha Krasniqi.
“Nuk me mungon ajo detyrë, jam munduar që të jem atëkohë korrekt me deputetët dhe qytetarët”, shtoi Krasniqi në RTK.
Thotë se për mandatin e dytë në krye të legjislativit nuk mori vetëm votat e VV-së.
“Vetëvendosje ka depërtuar në skenën politike pak me një agresivitet”, tha Krasniqi.
Ai kujtoi momentin kur deputeti Albin Kurti i kishte rrëmbyer mikrofonin.
“Unë e konsideroj edhe atë në kuadër të demokracisë. Kanë ndodhur në parlamente tjera edhe ekscese më të mëdha”, thotë Krasniqi.
Sipas tij, kërkesa e deputetëve të Vetëvendosjes nuk ishte e drejtë.
“Nuk kishin të drejtë. Ata kërkonin që unë me marrë një vendim në emër të Kuvendit, por ajo nuk është e drejtë e kryetarit të Kuvendit, as dje as sot e as nesër”, sqaroi Krasniqi.
Më 2013 kur në atë kohë, kryeparlamentari Jakup Krasniqi kishte ftuar deputetët që të votonin projektligjin për marrëveshjen Kosovë-Serbi, lideri i VV-së, Albin Kurti, i kishte rrëmbyer mikrofonin.