Telegrafi

Krasniqi demanton Zekën, thotë se me Limajn s’është takuar asnjëherë

Ilir Krasniqi ka demantuar deklaratat e veta duke thënë se nuk ka qenë i përfshirë në një audioincizim me deputetin Milaim Zeka, ku hidhen dyshime se zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, është i përfshirë në një aferë kërkimi të ryshfetit.

Ai për KTV-në ka thënë se madje as nuk e ka takuar ndonjëherë Limajn, dhe se asnjë deklaratë e Zekës nuk është e vërtetë. Thotë se këto Zeka po i bën vetëm për arsye të tij personale.

“Gjatë ditës së sotme në një portal ka dalë një audio-incizim ku si protagonist në këtë audio-incizim, jam unë, Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka. Në këtë audio-incizim akuzohet ish-ministri i transportit  Fatmir Limaj për gjoja kërkim të ryshfetit, gjë që nuk qëndron dhe nuk është e vërtetë”, ka thënë Krasniqi.

Lexo po ashtu Audioincizimi implikon Limajn në afera korruptive, kërkoi 3 milionë euro nga biznesmenë gjermanë (Audio)

Tutje, ka thënë se e njofton opinionin e gjerë se të gjitha këto shantazhe kanë qenë të sajuara dhe të nxitura nga vet Milaim Zeka, që siç thotë ai, janë për arsyet e tij personale që vetëm ai i di (Milaim Zeka).

“Unë asnjëherë në jetën time nuk jam takuar me ish ministrin Fatmir Limaj dhe asnjëherë nuk kam pas kontakt fizik apo verbal me ish ministrin”, thotë ai tutje.

Ai ka përmendur një fakt tjetër, që sipas tij, Milaim Zeka ka biseduar personalisht me gjermanët të cilët i ka inciuar. Ka thënë se Zeka posedon një incizim tjetër prej 60 minutash.