Site icon Telegrafi

​Krasniqi: Albin Kurti është i pari që duhet të largohet nga lista e veteranëve

Në një konferencë për media, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka folur  për protestën e veteranëve dhe seancën në të cilën ishte paraparë votimi i Projektligjit për pagën minimale.

Ai ka thënë se PDK do të kundërshtojë atë në çdo formë demokratike meqë sipas tij veteranët duhet të përfshihen në pagën minimale.

“Të gjithë ne nga fillimi kemi thënë që ka probleme me listat e veteranëve dhe ato lista duhet të pastrohen dhe kushdo që nuk ka qenë veteran dhe është pjesë e asaj liste duhet të hiqet nga ajo listë por i pari që duhet të hiqet prej asaj liste si veteran i rrejshëm është Albin Kurti sepse është kryeministri i Kosovës, nuk mundet me qenë veteran njeriu i cili asnjëherë, asnjë minutë nuk e ka veshur uniformën e veteranit të UÇK-së, ai duhet me dhënë shembullin personal, i pari me u largu prej listës së veteranëve, me thënë: ‘unë nuk jam veteran’”, ka thënë Krasniqi.

Derisa në Vetëvendosje kanë deklaruar se pakënaqësitë e veteranëve janë të akumuluara ndër vite, sipas Krasniqit, pushteti po merret me të kaluarën meqë është i paaftë të veprojë dhe të marrë vendime.

“Askush nuk është duke folur për të ardhmen, këta flasin për të kaluarën sepse paaftësia e tyre për me vepru, paaftësia e tyre për me marrë vendime, paaftësia e tyre për me e tregu dhe zbatu një vizion po i futë te arsyetimi. Nëse qenkan akumuluar PDK gati tri vjet tashëm është në opozitë, këta anë qenë në pushtet dy vjet përafërsisht në dy qeveritë, çka kanë bërë për me e ndryshu situatën, cila janë veprimet, hapat që i kanë marrë, asnjë pengesë nuk e kanë, e kanë pushtetin absolut, e kanë shumicën dërrmuese në Kuvend përkundër që nuk po arrijnë me i kalu as ligjet bazike”, ka thënë ai.

Në mungesë kuorumi, ka dështuar dje votimi i Projektligjit për pagën minimale. Për mospërfshirje në të, veteranët e luftës së UÇK-së të hënën kanë protestuar para Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës. /KP/

Exit mobile version