Site icon Telegrafi

Kraja: Iniciativa “Open Balkan” e mbyllur, Rama ta kuptojë se Serbia na çon në drejtim të gabuar

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK), Mehmet Kraja, në një intervistë në emisionin “Përballje” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu, ka folur për zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon.

Akademiku Kraja e konsideron të mbyllur iniciativën për Ballkanin e Hapur pas zhvillimeve në Ukrainë dhe pozicionimin e Serbisë krah Rusisë.

“Pas qëndrimit të Serbisë në raport me Rusinë, tregoi se iniciativa ‘Open Balkan’ është e mbyllur. Ai plan që thotë se Serbia është lider i Ballkanit në planin ekonomik dhe politik, do të duhej të mbyllet pasi Serbia u rreshtua në anën e agresorit”.

“Serbia, pos mbështetjes propagandistike, merr edhe mbështetje ushtarake nga Rusia. Nuk i takon më Serbisë të luajë rolin e liderit në Ballkan. Edi Rama duhet ta kuptojë se Serbia është identifikuar si një lider që na çon në drejtim të gabuar”.

“Problemi nuk është më kalimi i kufirit me letërnjoftime. Këto janë probleme të mëdha politike, që realisht i shkelmoi Vuçiqi”.

Lexo po ashtu Kraja: Mosmbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, vendim i drejtë - reagimi i QUINT-it i njëanshëm

Kraja megjithatë thotë se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë Serbinë sikurse deri më tani, pavarësisht qëndrimit ndaj Rusisë.

Akademik Mehmet Kraja gjatë intervistës në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com Foto: Ridvan Slivova

“Megjithatë, në aspektin historik Serbia dështoi në rimarrjen e vetes në një periudhë të ndjeshme për Ballkanin. Janë duke parë edhe vet serbët në Serbi që kësaj radhe bënë një gabim”, deklaroi Kraja./Telegrafi/

Exit mobile version