Harry Kene u transferua te Bayern Munich nga Tottenham në afatin kalimtar të verës, si një rekord mes klubeve.
Ai mbërriti në klubin londinez si 11-vjeçar dhe, nëse nuk llogariten huazimet që klubi e dërgoi si lojtar kur ishte i ri, ai e kaloi gjithë karrierën e tij aty, në librat e klubit.
Ai qëndroi atje për 20 vjet dhe i mjaftoi vetëm një muaj në Mynih që të dallonte ndryshimin mes dy klubeve.
Nuk ka asnjë lojtar që ka luajtur më shumë ndeshje (435) dhe ka shënuar më shumë gola (280) për Tottenham se ai, i cili ishte edhe transferimi rekord i klubit në largim (100 milionë euro fikse, 10 të mundshme përmes bonuseve).
Me një qëndrim të gjatë në Tottenham, është e qartë se Kane e di se për çfarë po flet.
“Ne donim të fitonim edhe te Tottenham, por nuk ishte fatkeqësi nëse një seri prej disa ndeshjesh do të ndodhte pa fituar. Në Bayern Munich, ju duhet të fitoni çdo ndeshje. Pas 3-1 dhe 4-0 në dy ndeshjet tona të para, njerëzit flisnin se si nuk ishim të kënaqur me lojën. Klubi ka një mentalitet të lartë”, ka thënë Kane, i cili nuk fitoi asnjë trofe me Tottenhamin.
Kane shënoi tre dhe asistoi një gol në tre ndeshje në kampionat për ekipin e tij të ri, ku Bayern Munich fitoi secilën prej tyre. /Telegrafi/