Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur, ka diskutuar për numrin e votuesve në zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen në katër komunat veriore.
Sipas njoftimit për media, në këtë mbledhje u njoftua lidhur me procesin e krijimit të Listës Preleminare të votuesve për Zgjedhjet e Jashtëzakonshme për Kryetar të Komunave: Mitrovica e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, të cilat do të mbahen më 19 maj.
“Sipas të dhënave jo-përfundimtare, numri i votuesve në këto katër komuna është: 58 mijë e 520 votues, apo 1 mijë e 507 votues më shumë në krahasim me Zgjedhjet Lokale të vitit 2017. Mbështetur në të dhëna jo-përfundimtare numri i votuesve në Mitrovicën e Veriut është 22 mijë e 242; në Zubin Potok 8 mijë e 612; në Leposaviq 18 mijë e 390; dhe në Zveçan 9 mijë e 276”, thuhet në njoftim.
KQZ po ashtu në këtë mbledhje ka diskutuar edhe për shpenzimet e fushatës zgjedhore.
“KQZ-ja mori vendim për kufizimin e shpenzimeve të fushatës zgedhore (13 maj – 17 maj) të Zgjedhjeve të Jashtëzakonshme për Kryetar të Komunave: Mitrovica e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan. Sipas vendimit të KQZ-së, duke u mbështetur në Rregullën Zgjedhore për Kufizimin e Shpenzimeve të Fushatës, shuma e mjeteve për shpenzimet e fushatës zgjedhore është 0.5 euro për votues të regjistruar në komunën përkatëse. Vendimi i KQZ-së mbështetet në listën jo-përfundimtare të votuesve në këto katër komuna”, thuhet në njoftim./Telegrafi/