Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet preliminare të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar komune në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.
Sipas të dhënave nga KQZ, kandidatët e Listës Serbe kanë marrë mbi 90 përqind të votave në katër komunat.
Në Leposaviq, kandidati për kryetar nga Lista Serbe, Zoran Todiq ka fituar 7015 vota apo 96.6%, pasuar nga kandidati i PDK-së, Shaqir Hetemi i cili ka marrë 144 vota apo 2.0%, kurse kandidati i VV-së, Fisnik Veseli ka marrë 105 vota apo 1.4%.
Në komunën e Zubin Potokut, Srdjan Vuloviq nga Lista Serbe ka marrë 3995 vota apo 94.5%, Hyseni Hetemi nga PDK ka marrë 123 vota apo 2.9% dhe Liridona Kahrimani nga VV 110 vota apo 2.6%.
Edhe në komunën e Zveçanit bindshëm me vota sipas KQZ-së prinë kandidatja e Listës Serbe, Vuqina Jankoviq me 3767 vota apo 94.7%, pasuar nga Ilir Peci nga PDK me 130 vota po 3.3% dhe Avdi Peci nga VV me 81 vota apo 2%.
Kurse në Mitrovicën e Veriut, Goran Rakiq nga Lista Serbe ka marrë 7092 vota apo 90.1%, Gonxhe Çaushi nga PDK ka marrë 454 vota apo 5.8% dhe Erden Atiq nga VV ka marrë 324 vota apo 4.1%.
KQZ ka njoftuar se në këto zgjedhje, të drejtën për të votuar e shfrytëzuan 24 mijë e 595 (42.42%) qytetarë me të drejtë vote nga 57 mijë e 983 sa është numri i përgjithshëm i tyre.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme janë mbajtur në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore, pas dorëheqjes së kryetarëve atje për shkak të vendosjes së taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe./Telegrafi/