Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), rekomandimet e emrave për zëvendësimin e deputetëve të Listës Serbe, të cilët kanë dhënë dorëheqje të hënën.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina.
“Zyra e Presidentes ka pranuar kërkesën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, z.Glauk Konjufca për zëvendësimin e deputetëve të dorëhequr të Listës Serbe. Pas pranimit të kërkesës, Presidentja i është drejtuar KQZ-së për të pranuar rekomandimet e emrave për zëvendësimin e deputetëve të dorëhequr”, ka deklaruar Kupina të martën.
Deputetët e dorëhequr duhet të zëvendësohen me deputetë të rinj nga i njëjti subjekt politik.
Përfaqësuesit serbë kanë marrë vendim që të largohen nga të gjitha institucionet në Kosovë, ndaj deputetët e Listës Serbe të hënën i kanë dorëzuar edhe mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës.
Dorëheqjet erdhën pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e veturave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës. /Telegrafi/