Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka procesuar rezultatet e votave nga 2 mijë e 547 qendra të vendvotimeve.
Deri më tani në faqen e KQZ-së, janë publikuar rezultatet nga 2 mijë e 508 vendvotime apo 98,47%.
Komunat nga të cilat ende nuk janë procesuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve janë: Deçani, Gjakova, Kamenica, Mitrovica e Jugut, Rahoveci, Podujeva, Prishtina, Prizreni, Skenderaj, Suhareka, Ferizaj dhe Vushtrria.
Aktualisht, Lëvizja Vetëvendosje është e para me 200 mijë e 953 vota apo 25,52%. E dyta vazhdon të jetë Lidhja Demokratike e Kosovës me 195 mijë 534 vota apo 24,83%.
Partia Demokratike e Kosovës deri tash ka marrë 167 mijë e 402 vota apo 21,26%. Koalicioni AAK-PSD ka arritur të marrë 90 mijë e 839 vota apo 11,54%.
Kurse koalicioni Nisma-AKR-PD vazhdon të mbetet nën pragun e zgjedhor, pasi ka 38.480 vota, apo 4.89%.
Kujtojmë se në zgjedhjet e 6 tetorit të cilat u mbajtën të dielën, numri i qytetarëve të cilët morën pjesë në votime ishte 43,27% nga 1 milion e 937 mijë e 868 votues të regjistruar. /Telegrafi/