Në mbledhjen e sotme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mori vendim për shkurtimin e kohëzgjatjes së afateve dhe miratoi Planin e Aktiviteteve për votimin për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahet më 21 prill 2024.
Sipas vendimit të KQZ-së, aktivitetet kryesore për organizimin e këtij procesi, i referohen afatit prej 44 ditësh dhe janë si në vijim:
- Fushata për ose kundër largimit të kryetarëve të komunave fillon më 19 prill dhe përfundon në orën 07:00 më 21 prill 2024;
- Dorëzimi i kërkesës për akreditimin e vëzhgueseve të OJQ-ve vendore, ndërkombëtare dhe mediave fillon më 01 prill dhe përfundon më 15 prill 2024;
- Dorëzimi i kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike fillon më 1 prill dhe përfundon më 15 prill 2024;
- Emërimi i Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve bëhet më 17 mars 2024;
- Emërimi i Këshillave të Vendvotimit fillon më 10 prill dhe përfundon më 11 prill 2024;
- Publikimi i listës së qendrave të votimit bëhet jo më vonë se 16 mars 2024;
- Periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës fillon më 18 mars dhe përfundon më 3 prill 2024;
- Afati për kundërshtimin dhe konfirmimin e listës së votuesve fillon më 18 mars dhe përfundon më 5 prill 2024;
- Aplikimi për regjistrim si votues jashtë Kosovës fillon më 29 mars dhe përfundon më 3 prill 2024;
- Certifikimi i Listës Votuese bëhet jo më vonë se 9 prill 2024;
- Periudha e votimit përmes postës për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës fillon më 12 prill dhe përfundon më 20 prill 2024;
- Aplikimi për regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta dhe në institucione fillon 10 prill. dhe përfundon më 18 prill 2024;
Gjithashtu, në këtë mbledhje KQZ shqyrtoi dhe miratoi planifikimin buxhetor për organizimin e procesit të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahet më 21 prill 2024. Sipas vendimit të KQZ-së, buxheti i planifikuar për organizimin e këtij procesi është në shumën: 233,204 Euro. /Telegrafi/