Site icon Telegrafi

Kostume, këngë dhe gëzim – ASK feston Halloween me paradën e nxënësve

Nën tingujt e muzikës dhe atmosferën festive, American School of Kosova (ASK) organizoi paradën e Halloween-it, me nxënësit e parashkollores dhe shkollës fillore me kostume të shumëllojshme dhe plot kreativitet.

Jeta Jusufi Xhelili, koordinatore e shkollës fillore në ASK, shpjegoi se këto organizime janë bërë traditë vjetore, duke ofruar momente unike për nxënësit.

“Çdo vit organizojmë Halloween-in në shkollën tonë, ku nxënësit nga mosha dy vjeç e deri në klasën e pestë, së bashku me prindërit, nxisim të vishen me kostume të ndryshme. Gjatë ditës kemi aktivitete të larmishme, ku fëmijët shfaqin kostumet dhe personalitetin e tyre”, tregoi ajo.

Elfete Gashi, mësuese e Edukatës Fizike, theksoi gëzimin dhe përkushtimin e prindërve dhe nxënësve për këto festa.

“Nxënësit janë shumë të entuziazmuar dhe përkushtohen për t’u përshtatur me temat e festës. Halloween-i është një nga festat që mezi presin” tha ajo.

Një nga prindërit, Lorika Govori, vlerësoi ndikimin pozitiv të këtyre festimeve tek fëmijët, duke përmendur se shkolla amerikane në Prishtinë është unike në angazhimin për çdo festë.

“Kjo i ndihmon fëmijët jo vetëm të kënaqen, por edhe të zhvillohen në mënyrë kreative dhe kognitive përmes lojërave dhe aktiviteteve”, shprehet ajo.

Edhe nxënësit e shijuan festën në mënyrën e tyre të veçantë.

Odeta Shehu tregoi se është veshur si fantazmë dhe se Halloween-i është një nga festat e saj të preferuara.

Ndërkohë, Roi Pula dhe Beg Mjeku po ashtu u shprehën entuziastë për kostumet e tyre të frikshme, duke thënë se i pëlqen të trembin shokët.

Për të bërë paradën edhe më të veçantë, ushtarët amerikanë iu bashkuan festës duke dhuruar ëmbëlsira për të gjithë pjesëmarrësit e vegjël, duke shtuar gëzimin e kësaj feste të veçantë në ASK. /Telegrafi/

Exit mobile version