Site icon Telegrafi

Kosovës i ka humbur rruga në oborr

Qeveria e Kosovës nuk e ka idenë se kah është nisur. Edhe 16 vjetë pas përfundimit të luftës shteti më i ri në Evropë është në kërkim të një modeli të funksionimit. Këtë ende nuk e ka gjetur. Shefi i Bankës Botërore në Kosovë, Jan Peter Olters në një intervistë për Gazetën Fjala, nuk është i sigurt nëse vërtetë përfaqësuesit e vendit e dinë se ku dëshirojnë të arrijnë.

Në dy vitet e fundit, ai vlerëson se gjendja socio-ekonomike, në njëfarë forme, vetëm sa është përkeqësuar dhe këtë më së miri e tregon eksodi masiv i qytetarëve në fillim të vitit. “Më krizën e migracionit në të cilën kemi kaluar, është bërë shumë e qartë se eksodi i më shumë se 5 për qind të popullsisë së Kosovës në vetëm pak muaj, e përcjellë me greva dhe protesta,… për arsye të mira apo të këqija është një mungesë e optimizmit, një mungesë e ndjenjëse se ka perspektivë ekonomike në vend”, thotë Olters.

Në intervistën për Gazetën Fjala, ai flet për fillimin e kësaj paperspektive, mungesën e diskutimeve pozitë-opozitë dhe një plani zhvillimor afatgjatë. Gjithashtu tregon për hapat që duhet të ndërmarr Qeveria e Kosovës për të tejkaluar këtë situatë.

Rritja e pamjaftueshme ekonomike, gjendja e rëndës sociale, papunësia e kushtet e pa favorshme për zhvillimin e sektorit privat, sipas tij, janë vetëm disa nga sfidat me të cilat Kosova vazhdon të përballet në mungesë të një qasje serioze për adresimin e tyre.

Olters porositë palën kosovare që të mos presin nga të tjerët ti kryejnë punët që ata duhet ti bëjnë vet. Kjo sipas tij duhet të fillojë me përfshirjen e të gjitha palëve në një diskutim serioz për identifikimin e mundësive zhvillimore dhe hartimin e një plani afatgjatë ekonomik.

Qeverisja pa prioritete

“Qeveria e Kosovës mendoj se duhet të fokusohet më shumë në prioritetet zhvillimore. Mendoj se është e kuptueshme se diçka duhet të ndryshoj”, thotë kreu i Bankës Botërore.

Kjo ndjenjë e pa perspektivës tek qytetarët sipas tij nuk është diçka e re. “Ajo vetëm se është shfaqur dhe nëse ka diçka pozitive aty, mendoj se e ka tërhequr vëmendjen në adresimin e këtyre çështjeve”, thotë Olters.

Ai beson se ka një vëmendje më të shtuar për këto çështje dhe adresimi i sfidave kryesore, shumica e të cilave janë sociale, duhet të jetë përtej planifikimeve afatshkurtra dhe të aty për atyshme me një qasje për zhvillime më afatgjatë. Ky zhvillim duhet të vijë pas një pajtimi të përgjithshëm.

“Kosovarët vet duhet të zotohen, përkushtohen për rritje ekonomike dhe strategji zhvillimi dhe ky duhet të jetë një zotim me një qasje afatgjatë për arritjen e tij”, thotë Olters, për Gazetën Fjala.

“Nëse shihen vendet që kanë histori të rritjes dinamike për një periudhë të gjatë juve ju duhet një konsensus bazë në elementet fundamentale të modelit ekonomik që i përshtatet vendit tuaj. Këtu i shohë disa sfida me të cilat ende përballet Kosova. Duke filluar nga paqartësia e rolit të sektorit privat në ekonomi”.

Sipas tij, ka një mungesë forumi në të cilin mund të diskutohet për një model të jetesës. “Nëse vërtet flisni për strategji të zhvillimit ajo është më afatgjate se deri në zgjedhjet e ardhshme. Duhet të flisni për dekada”. E nëse flitet për dekada ai vlerëson se duhet të supozohet se secila parti politike që është tani në pozitë apo opozitë në një formë do të jetë në qeveri. “Nuk shohë ndonjë formë që ka një diskutim mes kosovarëve se si të shtyjmë përpara këtë strategji të rritjes ekonomike për 20-25 vitet e ardhshme. Çdo vendim i marrë nga qeveria shihet me shumë skepticizëm nga opozita. Për arsye të mira apo të këqija, duhet të diskutohen elementet bazë dhe ju nuk duhet të pajtoheni në gjithçka por elemente bazë se si duhet të duket një model ekonomik për Kosovën me ato që janë në dispozicion, me resurset në dispozicion dhe zhvillimet aktuale”.

Këtu ai thotë se kanë përgjegjësi të gjithë akterët politik. Që të dyja qeveria dhe opozita, sipas Olters kanë përgjegjësi në definimin e një strukture të përgjithshme. “Nëse shihni vendin tim, pas luftës së dytë botërore është dashur 7 apo 8 vite që dy shkollat njëra me qasje më kapitaliste e njëra më socialiste, ato nuk u bënë të dyja bashkë por ishte vetëm kjo idea e ekonomisë sociale të tregut që ju ndihmoj, të ofrohen këto dy shkolla mendimesh dhe premtuan që rritja e produktivitetit ekonomik do të ndihmoj në rritjen e pagave dhe kontributeve nga të cilat do të përfitonin të gjithë akterët ekonomik përfshirë edhe punëtorët. Mendoj se ky premtim i rritjes së produktivitetit dhe rritjes ekonomike i ndarë barabartë nga të dyja ka ndihmuar në krijimin e këtij konsensusi bazë të një modeli të jetesës”.

Vendet tjera sipas tij kanë modele të ndryshme në të cilat bazohen për zhvillim. “Kosova ende nuk e ka një të tillë… kjo është e vërtete”.

Olters thotë se duhet të ketë një pishtar në horizont, apo një dritë në fund të tunelit. “Nëse nuk keni një pishtarë dhe nuk e dini cilën rrugë duhet ndjekur është shumë e vështirë, dhe nuk jam i sigurt nëse Kosova vërtetë e dinë se ku vërtetë dëshiron të shkoj”, thotë kreu i Bankës Botërore për Gazetën Fjala.

Kosova ka shpresë

I pari i Bankës Botërore në Kosovë, gjithnjë ka mundësi, që nga eksperiencat e këqija të bëhen gjëra të mira. “Mendoj se të gjitha palët në Kosovë, në mesin e qeverisë por edhe partnerëve për zhvillim është nënvizuar rëndësia për fokusim në çështjet që përmirësojnë situatën socio ekonomike”.

Sipas tij, nuk është diçka e re se papunësia është e lartë. “Është edhe më shqetësuese se shkalla e punësimit është shumë më e ulët edhe pavarësisht shkallës së rritjes ekonomike shumë më të mirë se në Evropë dhe rajon e që ende nuk është e mjaftueshme që të përmirësoj ndjeshëm situatën”.

Ai thotë se qeveria nuk mundet direkt të punësoj secilin që është i pa punë dhe kjo i takon sektorit privat që duhet të gjeneroj vende pune.

“Sfida kryesore është identifikimi i atyre zonave që vërtetë do të ndihmonin sektorin privat të jetë në gjendje të krijoj profit, të ketë të ardhme në Kosovë…”.

Kjo është një fushë që deri më tani Olters vlerëson se “kemi parë sfida të mëdha për zhvillimin e diçkaje që ka synim eksportin. Këtu është bërë shumë pak. Krejt çfarë është eksportuar janë mbetjet e materialeve me pak vlerë”.

Por, thotë se disa lëvizje mbresëlënëse në sektorin e bujqësisë që mund të merren si shembull për të kthyer shpresën se ekonomia e Kosovës mund të zhvillohet.

Deri më tani sipas tij pavarësisht se janë rritur remitencat dhe është bërë rritja e pagave në sektorin publik dhe është rritur fuqia blerëse, këto para nuk kanë krijuar ndonjë efekt që do të duhej pasi të mirat që janë blerë më këto para vijnë nga importi. “Mendoj se duhet të zhvillohet një debat serioz për sektorët e rëndësishëm të zhvillimit, duke filluar nga zëvendësimi i importeve dhe prapë mendoj se sektori i agrobiznesit dhe përpunimit të ushqimit janë dëshmuar që po rrisin pjesëmarrjen në treg dhe me sukses zënë vend në tregun vendës”.

Olters mendon se fermerët kanë ndryshuar qasjen dhe bindjen që po do të ketë fitim dhe do të ketë rritje të bujqësisë. “Për ekonominë në përgjithësi pyetja duket të jetë në një situatë të ngjashme, a kemi ngecur këtu dhe nuk mund të ja dalim nga kjo situatë?. Mendoj se kjo na bënë që duhet të sigurohemi ti identifikojmë dhe adresojmë pengesat kryesore dhe pastaj të shfrytëzojmë potencialin që vërtet është këtu”.

Kosova sipas tij, mund të bëjë shumë më shumë se që bën ekonomia tani. /Gazeta Fjala/Telegrafi/

Exit mobile version