Telegrafi

Kosovarët kanë dy miliardë euro kredi

Shumica e qytetarëve në Kosovë që kanë nevojë për mjete financiare, qoftë për investime në patundshmëri – në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, madje edhe për pushime – iu drejtohen bankave komerciale për kredi.

Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, vlera e kredisë në 10 bankat komerciale që operojnë në Kosovë, ka arritur në mbi 1.9 miliardë euro.

Ekspertë për çështje financiare thonë se vlera e rritur e kredive në sistemin bankar, tregon më së miri se në tregun e Kosovës mungojnë paratë e gatshme, se pagat janë të vogla dhe se kosovarët nuk sigurojnë kursime për çfarëdo lloji investimi.

Drejtori ekzekutiv i Institutit për Hulumtime të Avancuara, Agron Demi, thotë se një ndër arsyet që është rritur vlera e kredive, është se bankat kanë lehtësuar procedurat për marrjen e kredive, por edhe rritja e pagave viteve të fundit në sektorin publik ka reflektuar në kredimarrje.

Edhe udhëheqësi i Institutit për Banka dhe Financa, Flamur Keqa, tregon se vetë shifra prej afër dy miliardë eurosh tregon rritjen e kreditimit nga sistemi bankar. Por, ai thotë se numri i kredimarrësve është rritur pikërisht tek kreditë familjare apo kreditë konsumuese, e jo te kreditë për biznes.

Rritja vjetore e kredive për ekonomitë familjare është rritur për 10.8 për qind, kurse kreditë për ndërmarrje janë rritur për 2.9 për qind.

“Kjo, në një mënyrë, reflekton se fuqia blerëse e konsumatorit kosovar me pagat që ata i fitojnë e me punën e tyre të përditshme, nuk mjaftojnë për të krijuar një jetë më të mirë. Kështu që janë të obliguar t’u drejtohen bankave komerciale për të marrë fonde shtesë për plotësimin e nevojave të tyre”, vlerëson Keqa.

Por, ajo që mbetet shqetësuese, sipas Agron Demit, është se nuk është rritur numri i qytetarëve që kanë marrë kredi, por është rritur vetëm vlera e kredive. Kjo, sipas tij, nënkupton që disa nga klientët që kanë marrë kredi, qoftë individuale apo për biznese, në pamundësi kthimin e kredisë kanë hyrë në kredi të reja për t’i mbuluar kreditë e vjetra.

“Kjo është shqetësuese… Kjo mund të sjellë një krizë, edhe pse sistemi bankar në Kosovë është treguar mjaft i qëndrueshëm në krahasim me vendet tjera”, shpjegon Demi.

Ndryshe, norma e interesit në kredi, si për ndërmarrje, po ashtu edhe për ekonomitë familjare, arrin në 8.9 për qind. Këto kamata bankat komerciale i kanë ulur viteve të fundit, por, sipas ekspertëve, pavarësisht uljes ky nivel i kamatave ende mbetet i lartë. /REL/