Është mbajtur edicioni i ri i ‘Golden Foot’ apo në gjuhen shqipe ‘Këmba e Artë’ në Monaco të Francës.
Çmimi Golden Foot është një çmim ndërkombëtar futbolli, që u jepet lojtarëve që dallohen për arritjet e tyre atletike (si individë dhe si lojtarë ekiporë) dhe për personalitetin e tyre. Çmimi u jepet vetëm lojtarëve aktivë mbi moshën 28 vjeçare dhe ky çmim mund të fitohet vetëm një herë.
Në fakt është hera e parë që ky çmim jepet për femra, pasi që nga viti 2003 të gjithë fituesit ishin meshkuj.
Robert Lewandowski ka fituar këtë edicion në konkurrencën e meshkujve derisa sulmuesja me prejardhje nga Kosova, Kosovare Asllani në konkurrencën e femrave.
Ky çmim ndahet që nga viti 2003 kur i pari që e kishte fituar ishte Roberto Baggio, derisa pas tij këtë çmim e kanë marrë edhe emra të mëdhenj të futbollit si Pavel Nedved, Andriy Shevchenko, Ronaldo, Del Piero, Roberto Carlos, Ronaldinho, Francesco Totti, Ryan Giggs, Zlatan Ibrahimovic, Didier Drogba, Andres Iniesta, Samuel Eto’o, Gianluiggi uffon, Iker Casillas, Edinson Cavani, Luka Modric, Cristiano Ronaldo e Mohamed Salah.
“Jam shumë i lumtur dhe shumë krenar. Për mua është një nder i madh të fitoj këtë çmim, sepse e di se gjithçka që kam bërë, e di sa shumë më është dashur të punoj për këtë dhe tani mund të jem krenar për veten dhe gjithashtu për çmimin”, ka thënë Robert Lewandowski pas marrjes së çmimit.
Ndërkohë e lumtur dhe krenare është shprehur edhe sulmuesja me prejardhje nga Kosova e që aktivizohet me Përfaqësuesen e femrave të Suedisë, Kosovare Asllani.
“Një nga ato netët e veçanta. Shumë krenare dhe e nderuar që shkruaj histori duke marrë çmimin e parë Këmba e Artë për një lojtare femër”.
“Një çmim që shkon për dikë me një karrierë të madhe ndërkombëtare, është të paktën 29 vjeç dhe ka një personalitet të fortë. Pjesa e veçantë me këtë çmim është se fituesi lë një kallëp të përhershëm të gjurmëve të tyre në “Shëtitoren e Kampionëve”, në breg të detit të Principatës së Monakos”.
“Faleminderit Monakos, Princit Albert, Presidentit Antonio dhe gjithë organizatës. Ky çmim përfaqëson futbollin e femrave dhe sa larg ka arritur, por pjesa më e mirë është se ne sapo kemi filluar”, ka shkruar Asllani. /Telegrafi/