Site icon Telegrafi

Kosova do të bashkërendoj veprimet me shtetet e NATO-s, Japoninë dhe Zvicrën

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ambasadorët dhe përfaqësuesit e misioneve në Kosovë të shteteve anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, si dhe Japonisë e Zvicrës.

Në takimin e përbashkët me Zëvendëskryeministrin e Parë për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, u potencua përkushtimi i palëve për bashkëpunim dhe bashkërendim të veprimeve ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve në Kosovë të shteteve anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, si dhe Japonisë e Zvicrës.

Lidhur me takimin e datës 18 gusht në Bruksel, kryeministri Kurti ritheksoi se Republika e Kosovës ka treguar vullnet dhe gatishmëri për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë, drejt një marrëveshjeje që në qendër ka njohjen reciproke.

Ai prezantoi elementet e gjashtë kapitujve të Kornizës së Përgjithshme të marrëveshjes së ardhshme me Serbinë, për normalizim të plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër.

Në këtë takim, që pason atë të djeshmin me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe të shteteve të QUINT-it, u bisedua edhe për proceset e çështjet lidhur me dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Ndryshe, sot i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se shpreson që Kosova dhe Serbia deri më 1 shtator të gjejnë një zgjidhje për mospajtimet rreth përdorimit të dokumenteve personale dhe targave të makinave, që çuan në tensione në fillim të këtij muaji, ndërsa bëri thirrje për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të deritashme.

Ai i bëri këto komente në një konferencë me gazetarë në Beograd në përfundim të vizitës në Kosovë dhe Serbi së bashku me të dërguarin evropian Miroslav Lajçak, duke theksuar se të dyja palët duhet të jenë të përkushtuara që të përmbahen nga dhuna dhe të kërkojnë rrugë konstruktive përpara./Telegrafi/

Exit mobile version