I jashtëzakonshëm dhe historik ka qenë suksesi i sivjetmë i Kosovës në Kampionatin Evropian të xhudos që u mbajt në Lisbonë të Portugalisë.
Me dy vende të para, një të tretë dhe dy vende të pesta, xhudistët e udhëhequr nga Driton Kuka e kanë vënë emrin e shtetit tonë në vend të parë.
“Bac u kry… Kosova mbi të gjitha. Çka të flas më shumë!”, ka shkruar Kuka në rrjetet sociale.
“Kështu përfundoi Evropiani i xhudos”, ka trajneri i sukseseve të mëdha duke ia bashkëngjitur hashtagun ‘krenar’.
Akil Gjakova u shpall për herë të parë kampion i Evropës në xhudo për seniorë duke fituar medaljen e artë në kategorinë deri në 73 kilogramë dhe njëherësh u bë medalisti i parë evropian për Kosovën në një garë të meshkujve për seniorë.
Një tjetër të artë e fitoi edhe Distria Krasniqi duke u shpallur po ashtu për herë të parë kampione e Evropës në kategorinë deri 48 kilogramë.
Nora Gjakova u stolis me medalje të bronztë, derisa Laura Fazliu dhe Loriana Kuka (që luftoi gjatë të dielës) u renditën në vend të pestë. /Telegrafi/