Site icon Telegrafi

Kosova e humb ‘luftën’ me Zvicrën, Kemal Ademit i jepet drita e gjelbër për të luajtur me helvetikët

Sulmuesi nga Kosova, Kemal Ademi ka marrë dritën e gjelbër për të luajtur me Përfaqësuesen e Zvicrës.

Anëtari i gjigantit zviceran Basel është në shtetin helvetik që nga mosha gjashtë vjeçare, apo thënë ndryshe ai dhe familja e tij shkuan në këtë shtet në dhjetor të vitit 2002 nga Gjermania.

Gjatë ditës së sotme ka qenë faqja zyrtare e Federatës së Futbollit të Zvicrës që ka njoftuar se sulmuesi shtatlartë tani mund të luaj për Zvicrën.

“Për të përfituar të drejtën e lojës, Federata e Futbollit të Zvicrës dhe Ademi është dashur të prezantojnë disa dokumente dhe arsye te FIFA. Pas shqyrtimit të aplikimit, është dhënë leja”, thuhej në njoftimin e SFV.

24-vjeçari tani ka të drejtë loje për Zvicrën, edhe pse ishte duke u kërkuar me ngulm edhe nga Përfaqësuesja e Kosovës.

Por si duket ‘luftën’ për 24-vjeçarin e ka fituar Zvicra, shtet ku Ademi ka bërë karrierën tek skuadra si St Gallen, Xamax apo së fundmi te Baseli.

Qendërsulmuesi këtë edicion ka zhvilluar 30 ndeshje me Baselin ku ka shënuar 10 gola dhe ka bërë tre asistime. /Telegrafi/

Exit mobile version