Kriza e refugjatëve sirianë, ka filluar të kthehet në njërën nga çështjet kryesore me të cilat po përballen vendet e Bashkimit Evropian.
Numri i sirianëve që e kanë lëshuar vendin e tyre ka shkuar me miliona, rreth 3 miliona janë strehuar në Turqi, derisa disa qindra mijëra po ia mësyjnë vendeve të BE-së, për të kërkuar një jetë më të mirë.
Republika e Kosovës, nuk është se synohet prej emigrantëve sirianë, për shkak gjendjes së vështirë socio-ekonomike.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme (MPJ), Petrit Selimi, ka thënë për Telegrafin se institucionet e Kosovës tash e sa muaj e kanë bërë planin operativ për t’i pranuar rreth 3 mijë refugjatë sirianë në Kosovë.
Por, sipas tij, refugjatët sirianë nuk kanë interesim të qëndrojnë në Kosovë, madje as në vendet e rajonit.
“Ata kryesisht dëshirojnë të vendosen nëpër vendet skandinave, në Gjermani, Austri. Ka edhe vende siç është rasti i Polonisë, e cila ka pranuar shumë pak refugjatë”, ka thënë Selimi.
Sipas të dhenve të Qendrës për Azil në Lipjan, gjatë vitit 2015 në Kosovë kanë kërkuar azil 70 persona, ndërsa nga 1 janari i këtij viti e deri më tani, kanë kërkuar azil 15 persona.
Nga kjo qendër kanë sqaruar për Telegrafin se shumica e azilkërkuesve janë nga Siria, ndërsa kanë pasur kërkesa edhe nga nga shtetas të Irakut, Palestinës etj, duke shtuar se shumica prej atyre që kanë kërkuar azil, e kanë lëshuar Kosovën, dhe momentalisht në Qendër për Azil kërkues janë 7 sosh.
Derisa, kanë sqaruar se kapaciteti për pranim të azilkërkuesve, në Qendrën për Azilkërkues është 100 persona.
Ndryshe, në Kosovë, jashtë qendrës për azilkërkues në Lipjan, jetojnë 15 – 16 familje të të ashtuquajturve arnaut të Sirisë – familje shqiptare të cilët janë shpërngulur kryesisht në fillimshekullin e kaluar drejt Damaskut (tokës së Shamit).
Të ardhurat për këto familje sigurohen nga familjarët e tyre(të cilët këto familje nuk i kanë humbur kontaktet edhe pse ishin larg njëri tjetrit) dhe banorët e kryeqytetit./Telegrafi/