Telegrafi

Kosova e Challendes nuk di për humbje, dominon totalisht Shqipërinë e Panuccit në miqësore

Përfaqësuesja e Kosovës e ka mposhtur Kombëtaren e Shqipërisë me rezultat të thellë 3-0 në miqësoren vëllazërore të luksit.

Ekipi përfaqësues i trajnerit të ri, Bernard Challandes, nuk di për humbje, pasi ka marrë edhe fitoren e tretë nën drejtimin e tij.

Pas fitoreve Madagascarit me rezultat 1-0 dhe asaj ndaj Burkina Fasos me rezultat 2-0, tani ka ardhur edhe fitorja ndaj Shqipërisë me rezultat 3-0.

Tribuna të mbushura me tifozë shqiptarë

Kjo fitore e Kosovës ndaj Shqipërisë erdhi në miqësoren ndërkombëtare të zhvilluar në stadiumin Letzigrund të Cyrihut, i cili ishte i stërmbushur me shqiptarë nga diaspora.

Atmosferë e zjarrtë nga mërgimtarët tanë

Pjesa e parë e takimit filloi më mirë për Kosovën, të cilët rrezikuan disa herë dhe shpejt gjetën edhe golin e parë.

Luhej minuta e 21-të e ndeshjes kur në skenë del Arbër Zeneli, i cili shënon për epërsinë 1-0 pas asistimit perfekt të Besar Halimit dhe me këtë rezultat skuadrat shkojnë në pushim edhe përkundër rasteve të shumta.

Pamje gjatë një këndore të Kosovës

Edhe pjesa e dytë foli në të mirë të Kosovës, të cilët menaxhuan lojën dhe shënuan edhe dy gola tjerë për fitoren e madhe ndaj Shqipërisë.

Në minutën e 51-të ishte përsëri Zeneli që shënoi për 2-0 pas asistimit të Halimit, ndërsa i inkuadruari në pjesën e dytë, Edon Zhegrova (67′) vulosi fitoren me rezultat përfundimtar 3-0.

Futbollistët e Kosovës duke i duartrokitur mërgimtarët e mbledhur në stadium

Kjo fitore e Kosovës, me këtë lojë të zhvilluar, jep shpresë të madhe që në të ardhmen e afërt ky ekip me këtë trajner mund të sigurojnë ndoshta edhe ndonjë kualifikim në një kampionat evropian apo botëror. /Telegrafi/