Telegrafi

Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshjen, në kohën kur kryeministri Kurti udhëtonte për në Gjermani

Derisa u nënshkrua marrëveshja për linjën hekurudhore dhe autostradën ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti në orët e mëngjesit kishte fluturimin për në Mynih, ku do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë.

Telegrafi ka siguruar një fotografi ku shihet Kurti në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, i shoqëruar nga ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca.

Ndërkohë, presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksander Vuçiq kanë nënshkruar sot rreth orës 09:30 letrën për shprehjen e interesit për linjën hekurudhore Prishtinë-Beograd dhe për autostradën.

Marrëveshjet janë nënshkruar me ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Lexo po ashtu Nënshkruhet marrëveshja Kosovë-Serbi për linjën hekurudhore dhe autostradën 

Të pranishëm ishin ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, Ramë Qupeva, nga Departamenti i Menaxhimit të Rrugëve i Ministrisë së Infrastrukturës dhe udhëheqësi i ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq. /Telegrafi/