Telegrafi

Kosnett kërkon nga policët që ta luftojnë korrupsionin

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett ka deklaruar se korrupsioni është problem në institucionet e Kosovës, por që shpreson se policët do ta luftojnë.

Kosnett ka marrë pjesë sot në ceremoninë e diplomimit të Shkollës së Stafit dhe Komandës së Policisë(SPSC), për të diplomuarit e së cilës tha se tashmë janë të gatshëm për përgjegjësi më të mëdha.

Para dhjetëra të diplomuarve, oficerë dhe zyrtarë të lartë të agjencive publike të Kosovës, të cilët u shkolluan për të marrë përgjegjësi duke udhëheq pozita të larta në institucionet e sigurisë, ambasadori amerikan tha se të njëjtit duhet të japin shembullin e ndershmërisë dhe duke luftuar korrupsionin.

Kosnett pranoi se lufta kundër korrupsioni është mjaft e vështirë dhe e rrezikshme, por sipas tij mund të arrihet.

“Nuk është fshehtësi se korrupsioni është problem i madh në institucionet e Kosovës, dhe si prijës në polici do të sfidoheni që t’i rezistoni dhe kundërshtoni korrupsionin në shumë nivele. Si prijës të lartë ju duhet të jepni shembulli i ndershmërisë dhe integritetit për çdo ditë, kolegët tuaj polic po ju shikojnë, por po ju shikojnë edhe bashkëqytetarët tuaj. Luftimi i korrupsionit është i vështirë, e nganjëherë është edhe punë e rrezikshme, por suksesi mund të arrihet”, tha ai.

Kosnett shtoi se shumë të diplomuar të SPSC-së tashmë shërbejnë në pozita të larta të udhëheqjes në agjenci të zbatimit të ligjit në ShBA dhe Kosovë.

Ai u tha të diplomuarve se kualifikimet e tyre nga ky shkollim tregojnë se tashmë janë të gatshëm për të marrë përgjegjësi të mëdha dhe së shpejti do të praktikojnë përvojën dhe trajnimin në nivelin më të lartë të udhëheqjes. /KP/Telegrafi/