Telegrafi

Korridoret e propozuara humanitare nga Rusia, ‘të papranueshme’ – thotë Ukraina

Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, i ka quajtur “të papranueshme” gjashtë korridoret humanitare të propozuara nga Rusia.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, nga katër qytetet e përmendura në propozimin e Rusisë, vetëm Mariupol dhe Sumy kanë rrugë evakuimi që të çojnë në pjesë të tjera të Ukrainës.

Të gjitha rrugët e tjera të çojnë drejtpërdrejt në Rusi ose Bjellorusi, një aleat kyç rus në luftë.

“Kjo është një mënyrë e papranueshme për hapjen e korridoreve humanitare”, ka thënë Vereshchuk.

“Njerëzit tanë nuk do të shkojnë nga Kievi në Bjellorusi për t’u transportuar më pas në Federatën Ruse”.

Gjatë natës të së dielës, Rusia dërgoi një letër duke propozuar “një dritare të përkohshme” armëpushimi nga ora 10:00 me kohën ruse.

Si përgjigje, Ukraina i dërgoi Rusisë kushtet e saj, veçanërisht hapjen e korridoreve për evakuimin e njerëzve në perëndim të Ukrainës – larg Rusisë.

Vereshchuk u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe Francës për ndihmë në krijimin e korridoreve.

“Qytetarët ukrainas duhet të lejohen të largohen nga shtëpitë e tyre përmes territorit ukrainas”, tha një zëdhënës i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. /Telegrafi/