Telegrafi

Koreja e Veriut dërgoi ‘më shumë se një milion predha artilerie’ në Rusi

Koreja e Veriut ka dërguar më shumë se një milion predha artilerie në Rusi që nga muaji gusht, sipas zyrtarëve të agjencisë kryesore të spiunazhit të Koresë së Jugut.

Politikani Yoo Sang-bum tha se Shërbimi Informativ Kombëtar i Koresë së Jugut (NIS) beson se për gati dy muaj, shteti komunist ka transportuar artileri nëpërmjet anijeve dhe mjeteve të tjera, të shoqëruar nga një ekspert i armëve të Koresë së Veriut.

Fabrikat koreane kanë punuar me kapacitet të plotë për të përmbushur kërkesat ruse dhe ka mobilizuar banorët për të rritur prodhimin, tha Yoo.

Lexo po ashtu Analizë e një ish-oficeri të inteligjencës britanike: Kush po fiton në Ukrainë?

Zyrtarët e NIS nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës për të konfirmuar rrëfimin e Yoo për takimin, raporton skynews.

Si Pheniani ashtu edhe Moska kanë mohuar se Koreja e Veriut ka transferuar armë në Rusi, duke rritur njëkohësisht dukshmërinë e partneritetit të tyre.

Kujtojmë vizitën e rrallë të Kim Jong-un për të takuar presidentin rus, Vladimir Putinin në muajin shtator, e cila shkaktoi frikën se Rusia mund të merrte armë në këmbim të teknologjisë që do të forconte programin e armëve bërthamore dhe raketave të Kimit.

SHBA, Koreja e Jugut dhe Japonia lëshuan një deklaratë të përbashkët të enjten duke dënuar atë që ata e përshkruan si furnizimin e municioneve dhe pajisjeve ushtarake nga Koreja e Veriut për Rusinë. /Telegrafi/