Telegrafi

Koreja e Jugut do ta furnizojë Ukrainën me furnizime ushtarake si dhe me 150 milionë dollarë ndihmë humanitare

Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol premtoi një grumbull më të madh të furnizimeve ushtarake dhe 150 milionë dollarë në ndihmë humanitare për Ukrainën gjatë një vizite të papritur në Kiev.

Yoon ishte në Kiev për të vizituar presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky pasi mori pjesë në një samit të NATO-s në Lituani dhe Poloni në fillim të javës, transmeton Telegrafi.

Koreja e Jugut është një aleate e SHBA-së dhe eksportuesi i nëntë më i madh i armëve në botë, sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimit të Paqes në Stokholm (SIPRI).

Por është gjithashtu e vetëdijshme ndaj ndikimit të Rusisë mbi Korenë e Veriut dhe deri më tani i ka rezistuar presionit perëndimor për të ndihmuar në armatosjen direkte të Ukrainës.

Megjithatë, në një konferencë të përbashkët për shtyp, Yoon tha se Koreja e Jugut ka në plan të sigurojë “një shkallë më të madhe furnizimesh ushtarake” për Ukrainën këtë vit, pas ofrimit të vitit të kaluar të furnizimeve jo-vdekjeprurëse, si parzmore dhe helmeta.

Ai nuk dha më shumë detaje, por tha se Koreja e Jugut do t’ia sigurojë Ukrainës gjithashtu 150 milionë dollarë ndihmë humanitare këtë vit, pas rreth 100 milionë dollarëve në vitin 2022.

Vendi do të bashkëpunojë me Kievin në projekte të tilla si ndërtimi i infrastrukturës.

“Ne po diskutojmë gjithçka që është e rëndësishme për jetën normale dhe të sigurt të njerëzve”, tha Zelensky, duke falënderuar Yoon për mbështetjen “e fuqishme”. /Telegrafi/