Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu, përmes një postimi në Facebook i është drejtuar dy kandidatëve për kryeministër, Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit.
Sejdiu ka thënë se do të kishte dëshirë t’i dëgjojë nga Osmani dhe Kurti, 10 veprimet që do të ndërmerrnin gjatë vitit të parë të mandatit për ta funksionalizuar drejtësinë në vend, siç ka shkruar ai, veprimet tamam konkrete dhe jo deklarata të përgjithshme programore.
Tutje Sejdiu ka pohuar se deklarimet e kandidatëve tjerë nuk i interesojnë, sepse sipas tij, atyre nuk iu konvenon fare sundimi i së drejtës.
Kujtojmë se Korab Sejdiu nuk do të jetë pjesë e asnjë liste zgjedhore, ai para disa ditësh kishte thënë se qytetarët tani mund të votojnë për ndryshim, duke përmendur kështu kandidaten e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmanin dhe kandidatin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin./Telegrafi/