Site icon Telegrafi

Kop: Maqedonia e Veriut duhet të jetë pjesë e familjes evropiane

Kryeministri Zoran Zaev pret korrigjim të shpejtë të gabimit historik nga ana e Këshillit Evropian për mosdhënien e datës për fillim të negociatave me BE-në. Ai tha se diskutimet atje po vazhdojnë, ndërsa beson se së shpejti do të sillet vendim për fillim të bisedimeve.

“Unë besoj gabimin historik që u bë në fund të tetorit që e bëri Këshilli Evropian, së shpejti do ta korrigjojë, pasiqë të gjitha vendet anëtare të BE-së, gjithsej 28, përfshirë edhe presidenti Macron, kanë konfirmuar, se i kemi plotësuar të gjitha detyrimet dhe reformat. Diskutimi zhvillohet atje, besoj se për kohë të shpejtë do ta rrumbullaksojnë që përfundimisht ta sjellin vendimin për fillim të bisedimeve”, tha kryeministri Zoran Zaev.

Ambasadori i Holandës në Shkup, Dirk Jan Kop, theksoi se Maqedonia e Veriut i përket Evropës dhe duhet të jetë pjesë e plotë e familjes Evropiane. Ai theksoi se vendi ka pasur shumë reforma dhe e cilëson si dramë vendimin e marrë në tetor.

“Maqedonia e Veriut i përket Evropës, kulturalisht, historikisht, ekonomikisht, dhe duhet të jetë pjesë e plotë e familjes Evropiane, një hap tashmë është i bërë, ne vazhdojmë të punojmë që të mundësojmë të bëhet edhe hapi i dytë, ne jemi të impresionuar nga reformat që kanë ndodhur në këtë vend, e dijmë se Ballkani është hapësirë emotive, por ajo që ndodhi në tetor, unë e shoh një dramë. Ne jemi një rrugë ku ka shumë semaforë, ndërsa njëri prej atyre semaforëve qëndroi pak më gjatë në të kuqe, se sa ne pritëm. Por për këtë herë nuk ka alternativë”, tha ambasadori holandez, Dirk Jan Kop.

Sa i përket integrimit të vendit në NATO, Kryeministri Zoran Zaev theksoi se homologu i tij spanjoll e ka njoftuar se në fillim të janarit do të formohet Qeveria dhe në fund të janarit me propozim të Qeverisë do të dorëzojë protokollin në parlamentin spanjoll për ratifikim./Shenja/

Exit mobile version