Site icon Telegrafi

Kontroll i rreptë në kufirin Kosovë-Maqedoni e Veriut, konfiskohen cigare të kontrabanduara në vlerë rreth 120 mijë euro

Policia e Kosovës dhe Dogana e Kosovës, në zbatim të masave për parandalimin dhe luftimin e paligjshmërisë dhe kontrabandës, kanë intensifikuar kontrollet taktike dhe operacionale në zonën kufitare Republika e Maqedonisë së Veriut – Republika e Kosovës me ç’rast kanë identifikuar 3 automjete të dyshuara, të cilat dyshohet se po transportonin mall të kontrabanduar.

“Lidhur me rastin personat e dyshuar ishin me 3 automjete, ku nga to dy automjete përcjellëse me targa vendore dhe një kombi furgon pa targa, i cili dyshohet se ishte i ngarkuar me mallra të kontrabanduara, derisa zyrtarët policorë kanë arritur të lokalizojnë automjetin e dyshuar kombi me drejtues të dyshuarin mashkull kosovar, ku gjatë numërimit të mallit të kontrabanduar, për të cilin i dyshuari nuk kishte asnjë dokument mbi prejardhjen e mallit, janë gjetur dhe sekuestruar mallrat si në vijim: 1750 boksa Chesterfield me 350000 copë cigare, 250 boksa cigare elektrike Terea – 50000 copë cigare, makina për mbushje të cigareve (filetara) gjithsej 3200 copë, shkrepëse gjithsej 2000 copë, shishe xhami për nargjile 50 copë, shtroja për këpucë 3000 palë (6,000 copë)”, thuhet në njoftim.

Vlerësohet se vlera e mallit është rreth 120 mijë euro pa llogaritur edhe shmangiet doganore.

“Në lidhje me rastin të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ku me urdhër të prokurorit kompetent malli dhe automjeti sekuestrohen dhe dërgohen në terminalin doganor, ndërsa personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë”, thuhet tutje. /Telegrafi/

Exit mobile version