Site icon Telegrafi

Kontrata komerciale ndërmjet KEDS-it dhe Elektroseverit, Abazi: Shpresoj të zbatohet, hap drejt faturimit në katër komunat në veri

Ditë më parë KEDS dhe Elektrosever kanë nënshkruar kontratën komerciale që konsiderohet se është një hap i rëndësishëm në zbatimin e Udhërrëfyesit për Energjinë në pjesën veriore të Kosovës.

Eksperti i çështjeve të energjisë, Dardan Abazi, e cilëson si pozitive marrëveshjen, pasi pritet të integrojë sistemin energjetik në veri në kuadër të sistemit energjetik të Kosovës.

Abazi tha se shpreson që kjo marrëveshje do të gjejë zbatim të plotë dhe e njëjta të mos mbetet vetëm në një hap politik.

Dardan Abazi, ekspert i politikave të energjisë

“Marrëveshja me çka kemi parë nga marrëveshjet e Brukselit është pozitive dhe i mundëson sistemit tonë,  integrim të plotë. Shpresojmë në zbatim të plotë dhe e njëjta të mos mbetet vetëm një hap politik”, vlerësoi Abazi.

Lexo po ashtu Udhërrëfyesi për Energji, Lajçak: E mirëpres nënshkrimin e kontratës ndërmjet KEDS-it dhe Elektroseverit

Ai gjithashtu kërkoi që të bëhet publike marrëveshje nga ana e ZRRE-së ose Ministrisë së Ekonomisë.

“Gjithashtu, presim publikim të marrëveshjes dhe jemi të shqetësuar që e njëjta nuk është publike deri më tani. I bëjmë thirrje ZRRE-së dhe Ministrisë të bëjë publikimin e saj të menjëhershëm. Sidoqoftë, e shohim si një hap pozitiv drejtë integrimit dhe rritjes së konkurrencës në tregun e energjisë”, ka thënë Abazi.

Ndërkaq, Bashkimi Evropian (BE) ditë më parë e ka mirëpritur nënshkrimin kontratës komerciale ndërmjet kompanisë energjetike të Kosovës KEDS dhe kompanisë, Elektrosever.

Miroslav Lajçak me anë të një postimi në X e ka quajtur këtë si një hap të rëndësishëm për zbatimin e plotë të Udhërrëfyesit për Energjinë.

Edhe, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi kishte thënë se nënshkrimi i kontratës komerciale ndërmjet KEDS-it dhe Elektrosever, është edhe një hap tutje drejt normalizimit të furnizimit me energji dhe faturimit në katër komunat në veriun e Kosovës.

Bislimi thotë se “më shumë se 1 vit pas dakordimit mbi udhërrëfyesin e pasi që pala jonë i përmbushi menjëherë obligimet e saj që derivojnë nga marrëveshja, Elektrosever pranoi ta nënshkruajë kontratën”.

Arritjen e kësaj marrëveshje e kishin mirëpritur po ashtu edhe ambasadorët e huaj të akredituara në Kosovë.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka shkruar se ky është një lajm i mirë dhe se tani duhet të ketë zbatim pa vonesa.

“Vërtet lajm i mirë, tani kemi nevojë për zbatim të qëndrueshëm pa vonesa të mëtejshme!”, është shprehur Rohde.

Edhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott e ka quajtur si të rëndësishëm arritjen e kësaj marrëveshje.

Lexo po ashtu KEDS e quan moment historik nënshkrimin e kontratës me Elektroseverin

“Unë e mirëpres këtë progres të rëndësishëm në zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë”, ka shkruar ai.

Edhe nga KEDS kanë thënë se ky proces i zgjatur ka qenë shumë delikat dhe sfidues për tërë sistemin energjetik në Kosovë.

Ata janë shprehur të kënaqur që e kanë arritur këtë moment siç e quajnë ata “historik”.

Ndryshe, kjo kontratë mes KEDS-it dhe Elektrosever, ka për qëllim normalizimin e shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike në komunat Zubin Potok, Leposaviq, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore.

Kjo kontratë përkon me ligjin e Kosovës dhe kornizën rregullative, në përputhje me Marrëveshjet në lidhje me Energjinë të datës 8 shtator 2013 (“Marrëveshjet e Energjisë 2013”) dhe Konkluzionet e Lehtësuesit të BE-së për zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë të vitit 2013, të datës 25 gusht 2015 (“Marrëveshjet për Energjinë të vitit 2015”), si dhe Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve Energjetike të 21 qershorit 2022”. /Telegrafi/ 

Exit mobile version