Pas publikimit të nominimeve për edicionin e sivjetmë të ndarjes së çmimeve Oscar, shumëkush e ka vërejtur se në listë mungonte Lady Gaga.
Derisa fansat e këngëtares së shndërruar në aktore shpresonin që ajo madje ta fitonte çmimin prestigjioz, ata mbetët të zhgënjyer që 35-vjeçarja as nuk u nominua për Academy Awards.
Gjatë gjithë kohës së realizimit të filmit “House of Gucci” dhe pas publikimit të tij (ku Gaga e luan rolin e Patrizia Reggianit), flitej për aftësitë aktruese të saj.
Ylli i muzikës ishte nominuar për Oscar për filmin “A Star is Born” (me të cilin e fitoi çmimin për këngën më të mirë me “Shalloë”, por jo edhe çmimin për aktoren më të mirë), ashtu që me “House of Gucci” pritshmëritë ishin të mëdha.
Pas nominimeve në ceremonitë e mëdha të ndarjes së çmimeve që konsiderohen si pararendës të Academy Awards, pritej që Lady Gaga të nominohej edhe për ngjarjen kryesore.
Mirëpo, ndodhi ndryshe. Këtë vit u nominuan Jessica Chastain (“The Eyes of Tammy Faye”), Olivia Colman (“The Lost Daughter”). Penelope Cruz (“Parallel Mothers”), Nicole Kidman (“Being the Ricardos”) e Kristen Stewart “(Spencer”).
Me këtë përzgjedhje janë habitur fansat e saj të shumtë duke e shprehur pakënaqësinë në rrjetet sociale në forma të ndryshme.
Ndryshe, ceremonia e 94 e ndarjes së çmimeve Oscar do të mbahet më 27 mars. /Telegrafi/