Site icon Telegrafi

Konjufca: Zhvillimet në veri s’lidhen me targat

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se çështja e targave nuk lidhet esencialisht me zhvillimet në veri.

Konjufca tha se janë afro 60 mijë serbë në jug që nuk kanë asnjë targë, siç i quajti ai, të Millosheviqit, dhe se të njëjtit nuk mendojnë se kanë humbur diçka esenciale në jetën e tyre.

“Tash, në bazë të këtij komperacioni, nuk mundemi kollaj ta pranojmë argumentin që e tëra nisi për targa sepse e kemi pjesën tjetër të Kosovës ku ata jetojnë me këto targa”, është shprehur Konjufca, në Klan Kosova.

Tutje, ia tha se Serbia po dëshiron që diçka të mos arrihet përmes argumentimit që ajo e kontrollon një pjesë të Kosovës.

“Tash e jona është që t’ia argumentojmë të kundërtën se nuk e kontrollon dhe atje është Policia e Kosovës, Policia Kufitare është në kufi, ka baza të policisë në veri”, është shprehur Konjufca.

I pari i Kuvendit tha se përmes këtyre veprimeve, Kosova do t’i tregojë Serbisë se strategjia e saj do të dështojë dhe është e pamundshme.

“Serbia i ka qëllimet e kundërta me Kosovë, do të tregojë se e kontrollon atë territor dhe tash ka nisur beteja rreth kësaj çështje dhe veprimet janë të organizuara brenda një skeme të madhe e cila fillon prej manifestimit dhe grumbullimit përmes protestës, dorëheqjeve të orkestruara në çdo nivel, prej deputetëve, kryetarëve të komunave e deri te RTK-ja”, është shprehur Konjufca në Klan Kosova.

Exit mobile version