Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se përfaqësuesit e VV-së, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, e kanë pamundësuar regjistrimin e kandidatëve të Listës Serbe për kryetarë të komunave veriore për zgjedhjet e 19 majit, transmeton Telegrafi.
Konjufca, ka deklaruar se Lista Serbe duhet t’i ndryshojë qëndrimet e saj ndaj Kosovës, për të qenë pjesë e politikës institucionale.
“Përfaqësuesit e tyre duhet të mësohen me faktin objektiv që Kosova është shtet i pavarur dhe që ata të cilët jetojnë në të duhet ta avansojnë këtë shtetësi, e jo ta rrënojnë atë. Ata dhe shefat e tyre në Beograd që e mohojnë gjenocidin në Kosovë dhe vazhdojnë ta kolonizojnë Kosovën me projekte si ‘Lugina e Diellit’ në Zveçan – janë të vetmit që e meritojnë mbiemrin ‘fashist’ e ‘shovinist'”, ka shkruar Konjufca në Faceboook, transmeton Telegrafi.
Shkrimi i plotë:
Paskan reaguar i madh e i vogël në qeverinë e Serbisë, për mosregjistrimin e Listës Serbe nga KQZ-ja. Regjistrimin e LS e pamundësoi vota abstenuese e dy përfaqësuesve tanë në KQZ.
Për të qenë pjesë e politikës institucionale në Kosovë Lista Serbe duhet t’i ndryshojë rrënjësisht qëndrimet e saj kundër Republikës së Kosovës dhe kombit shqiptar. Përfaqësuesit e tyre duhet të mësohen me faktin objektiv që Kosova është shtet i pavarur dhe që ata të cilët jetojnë në të duhet ta avansojnë këtë shtetësi, e jo ta rrënojnë atë. Ata dhe shefat e tyre në Beograd që e mohojnë gjenocidin në Kosovë dhe vazhdojnë ta kolonizojnë Kosovën me projekte si ‘Lugina e Diellit’ në Zveçan- janë të vetmit që e meritojnë mbiemrin ‘fashist’ e ‘shovinist’.
Populli i Kosovës dëshiron paqe, zhvillim dhe fqinjësi të mirë me të gjithë. Por pushtetarët serbë në Beograd dhe krijesat e tyre në Kosovë nuk e ndajnë të njëjtin vizion. Ata madje shajnë dhe kërcënojnë politikanët serbë të Kosovës që e njohin Kosovën. Përpjekja e tyre është që të hegjemonizojnë çdo serb të Kosovës, dhe kushdo që nuk pajtohet me linjën e Vuçiqit, e denoncojnë si tradhtar. Prandaj trysnia duhet të shkojë mbi qeveritarët serbë e jo mbi shtetin dhe popullin tonë i cili nuk do gjë tjetër përpos që të jetojë në paqe me të tjerët, rehat me veten, dhe ku sundon drejtësia e i hapet rrugë zhvillimit.
Kurse, gjatë mbledhjes së sotme të KQZ-së, janë certifikuar kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Vetëvendosjes.
Ndërsa, për certifikimin e kandidatëve të Listës Serbe, shtatë vota ishin pro dhe dy anëtarë kanë abstenuar. Kjo nuk ishte e mjaftueshme që kandidatët e Listës Serbe të certifikohen, pasi në këtë rast duheshin tetë vota pro. /Telegrafi/