Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, falënderon presidentin Bujar Nishani për “gjestin simbolik” të firmosjes së dekretit të dhënies së nënshtetësisë shqiptare disa drejtuesve të Vetëvendosjes.
Në një intervistë telefonike për Ora News, Konjufca thotë se politika e tyre është që të gjithë shqiptarët e Kosovës të kenë të drejtën automatike të marrjes së nënshtetësisë shqiptare.
“Ishim ne që e kërkuam pasaportën shqiptare. Kemi nisur procedurat 2- 3 muaj më parë dhe gjithçka është bërë në përputhje me ligjin. Të gjithë shqiptarët duhet të kenë të drejtë automatike të marrjes së nënshtetësisë shqiptare të pasaportës së republikës së Shqipërisë. Kjo është një politikë që e mbrojmë dhe e artikulojmë”, ka thënë Konjufca.
Konjufca thotë se Vetëvendosja përfaqëson alternativë të tretë politike ku: Sovranitetin dhe republikën duhet ta përforcojmë vazhdimisht me qëllim të qartë në funksion të bashkimit kombëtar shqiptar.
“Ne nuk e mohojmë republikën. Duam shtetin e Kosovës, ta ndërtojmë dhe forcojmë por konsolidimin e sovranitetit ta ketë me cak dhe caku është që republika e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës të jetë një shtet, të shkojë drejt bashkërendimit të veprimeve dhe shkrirjes sa më të madhe të institucioneve dhe mbrojtjes së strategjive kombëtare të përbashkëta”, ka shtuar më tej Konjufca.
Sa i përket Demarkacionit me Malin e Zi, për ta quajtur të dëmshëm atë Konjufca ka bërë një paralelizëm mes marrëveshjes së detit Shqipëri-Greqi.
Ai shprehet optimist se kjo marrëveshje shumë e dëmshme të parandalohet.
“Po i falin Malit të Zi 82 km katror të territorit të vet. Qeveria po ngulmon ta miratojë por duket se nuk i kanë deputetët dhe kjo marrëveshje më ngjan me marrëveshjen e demarkacionit të ujërave të Shqipërisë me Greqinë. Do ia dalim ta ndalojmë. Vetëvendosje ka thirrur protestë që do të jetë më 1 shtator kur në Parlament do të votohet demarkacioni”. /Telegrafi/