Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca në një konferencë për media ka thënë se sot në mbledhjen e Grupit parlamentar do të vendosin për masat që do t’i ndërmarrin për të kundërshtuar Demarkacionin me Malin e zi.
Ai tha se mbledhja e Grupit parlamentar të Lëvizje Vetëvendosje do të mbahet në orën 15:00, një orë para mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
“Në orën 15:00 do të mbahet një mbledhje e grupit parlamentar të VV-së dhe do të vendosim më hollësisht masën e veprimeve për ta kundërshtuar një demarkacion të tillë”, ka thënë Konjufca.
Ai tha se vota e deputetëve të Vetëvendosjes do të jetë kundër Marrëveshjes së Demarkacionit.
Konjufca tha se Ramush Haradinaj ka ndryshuar qëndrim në lidhje me demarkacionin, e cila sipas tij është gënjeshtër për qytetarët si dhe zhgënjim për ta.
Ai po ashtu tha se aneks marrëveshja për demarkacionin është një gënjeshtër.
“Kjo nuk është gjë tjetër veçse strategji dalëse e qëndrimeve të veta. Pra për të ndryshuar qëndrimin është bërë nënshkrimi i presidentit Thaçi dhe atij të Malit të Zi. Në të vërtet vet komisioni që ka zgjedhur Haradinaj, erdhi në konstatime të qarta se vija e kufirit është shoqëruar me gabime të mëdha. Mali i Zi e ka miratuar marrëveshjen e Thaçit. Neve na ka ardhur dosja e Komisionit të ri shtetëror dhe kryeministri e zhbën atë raport… VV-ja nuk do ta përkrahë një mashtrim të tillë”, tha ndër të tjera Konjufca. /Telegrafi/