Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka ngushëlluar familjen e policit të rënë në krye të detyrës, Sami Thaqit dhe të gjithë punonjësit e Policisë së Kosovës, për humbjen e familjarit, përkatësisht kolegut të tyre.
“Lajmi për rënien në krye të detyrës të pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Sami Thaqi, është i hidhur e pikëllues. Dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia, personale e njerëzore por edhe në emër të institucionit që përfaqësoj. Në këto momente bashkëndiejmë me familjarët e të ndjerit Sami Thaqit dhe me gjithë punonjësit e Policisë të Kosovës që humbën kolegun e tyre. Po ashtu, shpresoj që të jenë jashtë rreziku e të përmirësohen shpejt policët e tjerë të plagosur, si dhe një fëmijë që po ashtu mora vesh se është lënduar gjatë ngjarjes”, thuhet në telegramin e Konjfucës.
Konjfuca ka theksuar se organet e sigurisë së Kosovës kanë dëshmuar në vazhdimësi se janë të gatshme të luftojnë krimin në vend, dhe rasti heroik i Sami Thaçit është një tjetër dëshmi se policët tanë janë në krye të detyrës, pa u trembur.
“Është koha që edhe shteti dhe institucionet tona të vihen në krye të detyrës dhe të japin ndihmën dhe mbrojtjen e nevojshme që të luftohen të gjitha veprimtaritë e dëmshme për shoqërinë e vendin, që nga krimi i rëndomtë e deri te korrupsioni i niveleve të larta, e që të vendoset më në fund drejtësia e dëshiruar nga populli”, ka pohuar Konjfuca.
Sami Thaqi ka ndërruar jetë të martën gjatë një operacioni antidrogë në Zhur të Prizrenit. Dita e enjte është shpallur ditë zie në nderim të jetës dhe veprës së tij./Telegrafi/