Telegrafi

Konjufca: Nga Telekomi kanë përfituar edhe frizeret e grave të menaxherëve

Shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca në një konferencë për media ka folur për gjendjen në Telekom, si dhe miratimin e rezolutës që ishte bërë një vit më parë në Kuvendin e Kosovës.

Konjufca ka thënë se tash e një vit asnjë nga pikat e rezolutës që është miratuar në Kuvend nuk është zbatuar.

“Sot bëhen një vit prej kur në kuvend është miratuar një rezolutë lidhur me Telekomin. Pika e 7 e kësaj rezolute e që është më e rëndësishmja thotë se Qeveria e Kosovës si aksionar kryesorë duhet të tërhiqet nga marrëveshja abuzive e ish drejtorit të Telekomit me kompaninë Z-Mobile. Asnjë pikë deri më tash nuk është realizuar, që nga miratimi i kësaj rezolute në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Konjufca.

Ai ka shtuar se në marrëveshjen mes Valës dhe Z-Mobile shkruan se në rast se gjenden shkelje, Vala ka të drejtë automatikisht të shkëpusë kontratën.

Konjufca ka thënë se nga Telekomi kanë përfituar që nga Monako e deri tek frizeret e grave të menaxherëve të Telekomit.

“Prej Telekomit ka përfituar Monakoja, Z-Mobile, PDK, AAK, Nisma, grupet e interesit e madje edhe frizeret e grave të menaxherëve të Telekomit. Pra prej Telekomit nuk ka përfituar veç Kosova, sepse Telekomi aktualisht është i zhytur në borxhe”, u shpreh Konjufca.

Ai shtoi se askush në Kosovë deri tash nuk ka pasur një plan konkret se si të zhvillohet Telekomi, duke theksuar se në 2009-2010 Telekomi i sillte Kosovës 100 milionë euro në buxhet, kurse sot nuk ka pare as me i pagua borxhet e veta. /Telegrafi/