Anëtarja republikane e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Marjorie Taylor Greene, e njohur për lidhjet e forta me ish-presidentin amerikan, Donald Trump, propozoi një sërë ndryshimesh “ekstravagante” në ligjin që mbështet Ukrainën.
Greene propozoi ndryshimet në projekt-ligjin e financimit të Ukrainës përpara se të shqyrtohet nga Dhoma e Përfaqësuesve. Nuk ka gjasa që ndryshimet të fitojnë mbështetjen e kolegëve të Greene, sepse ato janë shumë flagrante.
Një amendament kërkon që çdo anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve që voton në favor të projektligjit të ndihmës për Ukrainën, të regjistrohet në Forcat e Armatosura të Ukrainës.
“Dua të them, nëse doni të financoni një luftë, pse të mos luftoni në të”, tha ajo.
Ndryshime të tjera kërkojnë një raport që vërteton se kishat e krishtera në Ukrainë mund të funksionojnë pa ndërhyrjen e qeverisë dhe se asnjë fond nuk mund të përdoret ose shpenzohet derisa “qeveria e Ukrainës të mbajë zgjedhje të lira dhe të ndershme”.
Ambasadorja e Ukrainës në SHBA, Oksana Markarova, ka zbuluar detajet e projektligjit për mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën, i cili pritet të shqyrtohet në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan më 20 prill, pas disa muajsh vonesë.
Ambasadori njoftoi gjithashtu se Kongresi amerikan dëshiron të autorizojë konfiskimin e aseteve ruse dhe të detyrojë presidentin amerikan, Joe Biden të zgjerojë sanksionet. /Telegrafi/