Sot, Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit Amerikan mbështeti me shumicë dërrmuese ligjin për heqjen e statusit tregtar të “kombit më të favorizuar” për Rusinë dhe Bjellorusinë për shkak të agresionit rus në Ukrainë, i cili hapi rrugën për tarifa më të larta për importet nga ato vende.
Me 424 vota pro dhe 8 kundër, Dhoma e Përfaqësuesve mbështeti heqjen e statusit të Marrëdhënieve të Përhershme Normale Tregtare (PNTR) për Rusinë dhe Bjellorusinë.
Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden ka premtuar se do të heqë përfitimet që gëzon Rusia si anëtare e Administratës Botërore të Tregtisë dhe për këtë ka nevojë për miratimin e Kongresit amerikan, raporton nytimes.
Vendimi i Dhomës së Përfaqësuesve duhet të konfirmohet nga Senati. Presidenti i shumicës demokratike të Senatit, Chuck Schumer tha se Senati do të miratojë së shpejti vendimin. Heqja e statusit tregtar do t’i lejojë administratës Biden të vendosë tarifa më të larta për importet ruse dhe bjelloruse se sa aktuale, pra mbi nivelet e premtuara nga Uashingtoni për të gjitha vendet anëtare të Organizatës Botërore të Tregtisë.
Kongresmenja republikane, Victoria Spartz, e vetmja ligjvënëse me origjinë ukrainase, tha se ishte e rëndësishme që vendimi të zbatohej edhe për Bjellorusinë, një aleate e ngushtë e Moskës.
“Ne nuk mund të krijojmë një vrimë në ligj që Putini do të përdorte dhe do të kalonte para përmes Bjellorusisë”, tha ajo. /Telegrafi/