Site icon Telegrafi

Konflikti në Gazë: 122 palestinezë dhe tetë izraelitë të vrarë brenda pesë ditëve

Izraeli vazhdoi të premten me bombardime dhe predha artilerie në Rripin e Gazës ndërsa rriti vendosjen e trupave dhe tankeve pranë enklavës së rrethuar palestineze.

Të paktën 122 palestinezë, përfshirë 31 fëmijë, janë vrarë dhe më shumë se 900 të plagosur që nga fillimi i luftimeve të hënën.

Lexo po ashtu Gazetarja ishte duke raportuar live në kohën e shembjes së ndërtesës në Gaza: O Zot, më duhet të largohem

Qindra familje palestineze janë strehuar në shkollat e Kombeve të Bashkuara në Gazën veriore për t’i shpëtuar zjarrit të artilerisë izraelite, me banorët që raportojnë se Rripi kishte përjetuar natën e saj “më të dhunshme”.

Pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për një ndërprerje të menjëhershme të të gjitha armiqësive, duke përfshirë atë nga shefi i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu u zotua që ofensiva do të vazhdojë “siç është e nevojshme për të rivendosur qetësinë në shtetin e Izraelit”, raporton bbc.

Hamas lëshoi një tjetër breshëri raketash drejt Izraelit, duke goditur qytetin Ashkelon në orët e para të së premtes.

Lexo po ashtu Ushtarët izraelitë me të shtëna paralajmëruese në drejtim të protestuesve libanezë

Të paktën tetë izraelitë dhe një shtetas indian janë vrarë. Ushtria izraelite tha se qindra raketa janë qëlluar nga Gaza drejt vendeve të ndryshme në Izrael dhe ata kanë shtuar përforcime pranë tokave lindore të enklavës.

Ndërkohë, dhuna po zhvillohet midis kolonëve izraelitë dhe qytetarëve palestinezë në Bregun Perëndimor të okupuar, si dhe në Izrael. Në një përshkallëzim tjetër të mundshëm, të paktën tre raketa u qëlluan nga Libani i Jugut drejt Izraelit. /Telegrafi/

Exit mobile version