Telegrafi

Konfliktet në Gazë dhe Ukrainë po shkelin Konventat e Gjenevës, paralajmëron Kryqi i Kuq

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) i ka bërë thirrje botës që të respektojë Konventat e Gjenevës pasi traktatet ndërkombëtare që përcaktojnë rregullat e luftës shënojnë 75 vjetorin e tyre.

“Libri i rregullave për drejtimin e luftës është nën tendosje dhe shpesh shpërfillet”, tha udhëheqësja e KNKK, Mirjana Spoljaric.

Sjellja në konflikte të tilla si në Gazë, Ukrainë, Siri dhe Mianmar ilustron se konventat po shpërfillen në masë të madhe dhe nevojitet një angazhim i ri ndaj ligjit ndërkombëtar humanitar, thonë avokatët.

Bëhet e ditur se Konventat e Gjenevës, të cilat përcaktojnë rregullat për mbrojtjen e civilëve, të burgosurve dhe ushtarëve të plagosur, u miratuan nga shumica e botës pasi u finalizuan në vitin 1949.

“Bota duhet të ripërkushtohet ndaj këtij kuadri të fortë mbrojtës për konfliktin e armatosur, një kornizë që ndjek premisën e mbrojtjes së jetës në vend të justifikimit të vdekjes”, tha Spoljaric.

“Sot ne shënojmë 75 vjetorin e Konventave të Gjenevës”, shkroi KNKK në X.

“Ato kanë ruajtur dinjitetin njerëzor në kohët më të errëta. Shtetet dhe grupet e armatosura duhet të sigurojnë që këto rregulla të vazhdojnë për të shpëtuar jetë”, shtoi ai.

Siç raportohet, Konventat ndalojnë torturën dhe dhunën seksuale, kërkojnë trajtim human të të burgosurve dhe mandatojnë kërkime për personat e zhdukur, shkruan Al Jazeera, përcjell Telegrafi.

“Ato pasqyrojnë një konsensus global se të gjitha luftërat kanë kufij”, tha Spoljaric.

Sipas Kryqit të Kuq, libri i rregullave është i nevojshëm tani më shumë se kurrë.

Kjo pasi më shumë se 120 konflikte aktive vazhdojnë në mbarë botën.

Gjithashtu, konfliktet moderne të armatosura janë bërë më të rrezikshme që nga shekulli i 20-të për shkak të teknologjive të reja dhe urbanizimit të luftës.

Ndryshe, Kryqi i Kuq deklaroi se shkeljet – duke përfshirë ato në spitale, shkolla dhe ambulanca dhe vrasja e punonjësve të ndihmës dhe civilëve – nuk duhet të bëhen normë.

“Kur shkeljet e së drejtës ndërkombëtare humanitare shpëtojnë pa u ndëshkuar, nxisin cikle të mëtejshme dhune që shpesh rezultojnë në konflikte të armatosura të zgjatura me dekada”, tha Kryqi i Kuq.

Aktorët në shumë konflikte akuzohen për shkelje të konventave, nga Gaza në Ukrainë.

Raportuesi special i Kombeve të Bashkuara për territorin e pushtuar palestinez ka akuzuar Izraelin se ka shkelur tre nga pesë aktet e listuara në Knventat e OKB-së për gjenocidin gjatë luftës së tij në Gazë.

Afrika e Jugut gjithashtu e ka çuar Izraelin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke e akuzuar atë për kryerjen e gjenocidit kundër palestinezëve në Gazë – me 12 vende të tjera që mbështesin rastin.

Edhe veprimet e Rusisë në Ukrainë duhet të hetohen si krime lufte, kanë thënë organizata si Human Rights Watch. /Telegrafi/