Telegrafi

Konfiskohen mbi 3 mijë kilogram mish dhe shtatë lopë në Sigë të Pejës

Policia e Kosovës ka konfiskuar një sasi të konsiderueshme të mishit në Sigë të Pejës dhe ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale ‘prodhim dhe vënie në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimor’.

Policia e Kosovës, Njësitet e Stacionit Policor Pejë, duke zbatuar urdhëresën e Gjykatës Themelore në Pejë, të shtunën (30.11.2019) ka realizuar një bastisje në fshatin Sigë të komunës së Pejës, ku në një depo janë gjetur të deponuara lëkura të kafshëve dhe rreth tre mijë e dy qind (3200) kilogram lloje të ndryshme të mishit, dhe në stallën e këtij objekti janë gjetur shtatë (7) krerë lopë dhe gjedhe  pa numër identifikues, përcjell Telegrafi.

Në njoftimin e  Policisë thuhet se në vend të ngjarjes kanë dalë inspektoret e AUV-së dhe doganierët.

Pas verifikimit të objektit nga inspektorët është konstatuar se depoja në fjalë nuk i plotëson kushtet higjieno-sanitare dhe janë vendosur vulat zyrtare (blombat)  në dyert e depos deri sa të krijohen kushtet për asgjësim, ndërsa shtatë (7) krerë lopë dhe gjedhe  janë konfiskuar pasi që nga i dyshuari nuk është prezantuar ndonjë dokument për identifikimin e prejardhjes së tyre.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, ndaj të dyshuarit është shqiptuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh. /Telegrafi/

Foto: Ilustrim